1

Të njohim fakultetin

Qendra e Karrierës ka si qëllim që me anë të ketij aktiviteti, t’ju vijë në ndihmë studentëve të vitit të parë duke i ndihmuar me një njohje më të mirë të fakultetit si nga ana funksionale, ashtu edhe fizike. Ky aktivitet do të zhvillohet në bashkëpunim me stafin pedagogjik dhe administrativ të fakultetit, në mënyrë që studentët të krijojnë një ide të qartë për mënyrën se si funksionon çdo procedure, kujt dhe ku duhet t’i drejtohen për çështje të caktuara përgjatë vitit akademik.

2

Shkolla Verore/Dimërore

Shkolla Verore/Dimërore është një aktivitet kulturor dhe akademik, e cila konsiderohet jo vetëm si një eksperiencë e këndshme për studentët, por gjithashtu shërben si një përvojë motivuese dhe shumë e dobishme. Studentëve pjesëmarrës u jepet mundësia të zgjerojnë njohuritë, të zhvillojnë potencialin dhe kreativitetin e tyre, të përmirësojnë aftësitë e të punuarit në grup, të krijojnë njohje e kontakte të reja dhe të promovojnë vlerat e përbashkëta. Gjatë Shkollës Dimërore/Verore studentët gjithashtu propozojnë ide në lidhje me projekte të ndryshme, duke synuar një bashkëpunim më të ngushtë me ta dhe njohjen më të mirë të kërkesave të tyre.

3

Kampionati i Debatit

Është një konkurs i cili ka për qëllim nxitjen dhe përmirësimin e të menduarit kritik të studentëve, komunikimin në publik dhe punës në grup. Gjatë konkurseve të këtij lloji, studentët përmirësojnë aftësitë e komunikimit, përpunimit të shpejtë të infomacioneve dhe artikulimit sa më të mirë të ideve dhe argumentave të tyre. Gjithashtu, ata shpalosin cilësitë e tyre përpara një auditori, i cili përbëhët nga staf pedagogjik, përfaqësues të tregut të punës dhe gjithashtu edhe kolegë të degëve dhe fakulteteve të tjera të UT, duke krijuar kështu mundësi për pasurimin e networkut të tyre.

4

Panairi i Karrierës

I kthyer tashmë në traditë, është eventi më i rëndësishëm i Qendrës së Karrierës i cili jep mundësinë e zhvillimit të formës më bashkëkohore të rekrutimit. Ai shërben si një urë e drejtëpërdrejtë komunikimi mes tregut të punës dhe punëkërkuesve të ardhshëm (studentëve) nga çdo fushë studimi e UT. Ky aktivitet është frytdhënës për të dy palët, pasi Universiteti promovon studentët e tij dhe subjektet pjesëmarrëse rrisin cilësisht burimet e tyre njerëzore. Zhvilluar në ambjentet e fakulteteve të UT, mbi 60 subjekte vijnë me stendat e tyre për të ofruar mundësi konkrete për studentët dhe alumnin e Universitetit (punësim, internshipe, trajnime, workshope, etj).

5

Leksione të hapura

Gjatë Leksioneve të Hapura trajtohen tema të ndryshme nga profesionistë të fushës, të cilët ftohen nga Qendra e Karrierës. Këto leksione u japin mundësinë studentëve të zgjerojnë njohuritë rreth çështjeve më të diskutuara të profilit të tyre të studimeve.

6

Dita e Informimit (Info Day)

Dita e Informimit (Info Day) është një ndër aktivitetet më të shpeshta të QAL-së. Ai organizohet për të informuar studentët, për aktivitete dhe takime të rëndësishme, ku ata mund të përfitojnë eksperienca të vlefshme përsa i përket studimeve apo angazhimeve të tjera (ekstra kurrikulare). (Psh. Info Day – Bursat, Info Day – Panairi i Karrierës etj.)

6

“Të dhurojmë pak dashuri”

Ky aktivitet konsiston në mbledhjen e ndihmave për familjet në vështirësi ekonomike, duke ju dhuruar këtyre familjeve me rastin e festave të fund vitit. Qindra studentë vullnetarë angazhohen në mbledhjen e dhurimeve nga studentët dhe familjet e tyre, nga stafi i universitetit, si edhe bashkëpunëtorë të Qendrës. Më pas bëhet shpërndarja e dhurimeve në familjet e identifikuara. Ky është një aktivitet social me përfshirje, ndjeshmëri dhe bashkëpunim mjaft të madh. Nëpërmjet këtij aktiviteti ne u vijmë në ndihmë sadopak njerëzve në nevojë, nxisim përfshirjen sociale, rrisim bashkëpunimin midis studentëve si edhe numrin e të rinjve që kontribuojnë për një shoqëri më të mirë.