Studentët kanë përfaqësinë e tyre në Këshillin e Fakultetit të Ekonomisë dhe Senatin e Universitetit të Tiranës. Përfaqësuesit janë zgjedhur me votim nga të gjithë studentët e Universitetit të Tiranës, në kuadër të procesit të përgjithshëm zgjedhor të UT-së në 20 Prill 2016. Këta senatorë kanë të drejtë dhe detyrim të përfaqësojnë interesat e studentëve dhe të ngrenë problematikat e shfaqura nga ata.

Gjithashtu studentët kanë të drejtë të organizohen në këshilla studentorë në nivel njësie kryesore, institucioni të arsimit të lartë, si edhe në nivel kombëtar.

Këshilli Studentor i Universitetit të Tiranës është organizëm i pavarur, i cili ka si objektiv të tij të promovojë pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinojë përfaqësimin e tyre në organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë, në strukturat mësimore-kërkimore dhe të shërbimeve.

Këshillat e studentëve shprehin mendime dhe propozime për të gjitha problemet me interes të përgjithshëm të institucioneve të arsimit të lartë, si për planet dhe programet e studimeve, rregulloret për veprimtaritë mësimore, të drejtën për të studiuar, cilësinë e shërbimeve, përcaktimin e tarifave të shkollimit dhe kontributeve të tjera financiare për studentët, bilancet vjetore paraprake të shpenzimeve ose ndarjen e burimeve financiare, zhvillimin e veprimtarive të ndryshme kulturore, artistike, sportive etj.

Këshillat e studentëve zgjidhen çdo dy vjet nga votat e studentëve dhe mbështeten në legjislacionin në fuqi. Modalitetet dhe procedurat për krijimin, organizimin dhe funksionimin e tyre përcaktohen në statutet dhe rregulloret e institucioneve të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj, mbështetur edhe në propozimet e paraqitura nga studentët.