Pranimi i Studentëve

Pranimi i kandidatëve të rinj për të ndjekur studimet në Universitetin e Tiranës, bëhet bazuar në Maturën shtetërore. Për studentët që janë diplomuar dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në një degë të dytë, në sistemin me shkëputje nga puna, pranimi bëhet kundrejt kërkesës së kandidatëve dhe tarifës së caktuar.
Kandidati i shpallur fitues ka të drejtë të ndjekë studimet në vitin akademik për të cilin ai bëri kërkesën për të filluar studimet nëse regjistrohet në sekretarinë mësimore të Fakultetit të Ekonomisë brenda afateve të parashikuara e të shpallura; kështu ai fiton cilësinë e studentit. Nëse ai nuk regjistrohet brenda kësaj kohe, Fakulteti nuk merr përsipër ruajtjen e të drejtës së studimit.
Statusi i studentit përfundon me marrjen e diplomës ose me përjashtimin e tij nga Universiteti.
Për t’u regjistruar studenti paraqet pranë sekretarisë mësimore të fakultetit dokumentacionin sipas udhëzimeve të MASH si dhe shlyen tarifën e caktuar sipas akteve ligjore e nënligjore.


Organizimi i studimeve universitare

Afati i Studimeve


Afati i studimeve në një degë apo profil të Fakultetit të Ekonomisë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Afati i studimeve universitare në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës në sistemin me shkeputje nga puna dhe me kohë të pjesëshme është 4 vjet. Për sistemin pa shkëputje nga puna (korespondencë), këto studime zgjasin 5 vjet.

Format e Mësimit dhe të Kontrollit të Dijes


Në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës format kryesore të punës mësimore janë leksionet, seminaret, ushtrimet, punët laboratorike, praktikat, kontrollet me shkrim, detyrat, provimet e kursit, tema e diplomës. Departamentet me miratim të dekanatit mund të përcaktojnë edhe forma të tjera të punës mësimore, veçanërisht të kontrollit të dijeve të fituara.
Puna mësimore zhvillohet në bazë grupi e kursi. Leksionet zhvillohen në bazë kursi deri në 120 studentë; seminaret, ushtrimet etj, në grupe me 25-35 studentë. Dekanati zbaton përcaktimet e mësipërme në përputhje me mundësitë reale të Fakultetit në mjedise shkollore dhe personel, duke patur të drejtën e një tolerance deri në 20%. Për raste të tjera, ndryshimet mund të bëhen vetëm me miratim te Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.
Ndarja e studentëve në grupe fiksohet në regjistrat e vitit të cilët janë dokumente zyrtare ku evidentohet zhvillimi i orëve të mësimit nga pedagogët.
Leksionet, si formë e punës mësimore, si rregull janë me frekuentim fakultativ; por për disa lëndë specifike në disa degë, sipas përcaktimit të Këshillit të Fakultetit, frekuentimi mund të jetë i detyrueshëm për të paktën 75% të orëve mësimore.
Seminaret, punët laboratorike, ushtrimet e format e tjera të kontrollit të dijes, sipas përcaktimeve të Këshillit të Fakultetit, janë të detyrueshme për frekuentim, për të paktën 75% të orëve mësimore.
Studenti që frekuenton gjatë vitit, më pak së 50% të orëve mësimore të detyruara, shpallet i paklasifikuar dhe nuk lejohet të hyjë në asnjë nga sesionet e provimit të asaj lënde. Ai, qoftë si student përsëritës në vitin përkatës, apo si mbartës i kësaj lënde në vitin pasardhës, i nënshtrohet të njejtit rregull të përcaktuar për frekuentimin; në të kundërt, studenti cilësohet përsëri i paklasifikuar në atë lëndë, duke mbajtur vetë përgjegjësitë për rrjedhojat.
Studenti që frekuenton vetëm 50% - 75% të orëve mësimore të detyruara, shpallet i paklasifikuar, nuk lejohet të hyjë në provimin e sesionit të parë të asaj lënde, por ka të drejtën të hyjë në provimin e sesionit të vjeshtës. Kohëzgjatja e seancave mësimore është 60 minuta.
Për ato lëndë që parashikohen laboratore në planet mësimore, studentët e kanë të detyrueshme kryerjen e tyre në të njejtën masë si seminaret. Me fillimin e vitit akademik, Departamentii u komunikon studentëve kohën e kryerjes dhe programin e laboratoreve. Studenti që nuk realizon programin e laboratoreve, i nënshtrohet rregullave të vendosura si për të gjitha detyrimet e tjera.
Shkalla e përvetësimit të programit mësimor vlerësohet me sistemin prej dhjetë notash. Notat nga pesë e lart, janë kaluese. Në format e kontrollit me shkrim, përdoret sistemi i vlerësimit me pikë, rezultati i të cilit detyrimisht konvertohet me notë. Konvertimi bëhet me sistemin e mëposhtëm:

  • më pak se 40 pikë me notën 4
  • 41 deri 50 pikë me notën 5
  • 51 deri 60 pikë me notën 6
  • 61 deri 70 pikë me notën 7
  • 71 deri 80 pikë me notën 8
  • 81 deri 90 pikë me notën 9
  • më shumë se 91 pikë me notën 10

Kontrolli i dijes së një lënde (provimi) bëhet me shkrim, me gojë, i kombinuar. Mënyrat e kontrollit të dijes përcaktohen nga Departamentet përkatëse, mbështetur në planin mësimor. Tezat e provimit, në të gjitha rastet e kontrollit, përgatiten nga titullari i lëndës dhe miratohen nga Përgjegjësi i Departamentit ose ky i fundit mund të autorizojë Përgjegjësin e Seksionit.

Provimi


Studenti fiton të drejtën të futet në provimin e një lënde, kur ka shlyer detyrimet vjetore që lidhen me atë lëndë, të parashikuara për shlyerje në planin mësimor. Procesverbali i shlyerjes së këtyre detyrimeve plotësohet nga pedagogu në përfundim të procesit mësimor, para sesionit të provimeve dhe dorëzohet në sekretarinë mësimore.
Emrat e studentëve që kanë fituar të drejtën për të hyrë në provimin e lëndës paraqiten në Fletën e Provimit. Fleta e provimit e plotësuar me emra nga sekretaria mësimore, nënshkruhet nga Dekani ose Zëvendësdekani përkundrejt nënshkrimit të sekretarisë dhe mban vulën e Fakultetit. Fleta e Provimit i dorëzohet Përgjegjësit të Departamentit ose personit të autorizuar prej tij një ditë para provimit.
Përgjegjësi i Departamentit ose personi i autorizuar prej tij, pas shënimit të emrave të komisionit, ia dorëzon fletën e provimit kryetarit të komisionit ditën e provimit. Me përfundimin e provimit, kryetari i komisionit ia dorëzon fletën e provimit të nënshkruar.
Në asnjë rast Fleta e Provimit nuk duhet të këtë korrigjime dhe askush nuk ka të drejtë të shtojë emra në të. Marrja në dorëzim dhe dorëzimi i Fletës së Provimit bëhet me firmë.
Provimet e riprovimet zhvillohen brenda afatit të caktuar në strukturën e vitit akademik, miratuar nga Këshilli i Fakultetit. Datat e provimeve dhe riprovimeve mbasi merret mendimi i studentëve, propozohen nga departamenti, miratohen nga dekanati dhe shpallen jo më vonë së dy javë para fillimit të sesionit.
Provimet zhvillohen në orën e datën e caktuar. Në rast pamundësie të jashtëzakonshme të zhvillimit të provimit ditën e caktuar, Dekani, me urdhër me shkrim, e anullon dhe cakton një datë të mëvonshme e cila u bëhet e njohur studentëve.
Studentët merren në provimin e kursit nga dy vetë: titullari i lëndës dhe asistenti përkatës të cilët kanë zhvilluar lëndën. Nëse lënda nuk ka patur asistent, Përgjegjesi i Departamentit cakton një asistent të një disipline të afërt. Nëse titullari i lëndës ose asistenti i tij, për arsye madhore nuk mund të marrin pjesë në provim, Përgjegjësi i Departamentit cakton me shkrim, punonjësit që mund t'i zëvendësojë ata.
Provimet me shkrim bëhen të sekretuara. Ndalohet hyrja në provim e personave të jashtëm qofshin dhe anëtarë të personelit universitar, me përjashtim të drejtuesit të Departamentit, Dekanit të Fakultetit e persona të tjerë të autorizuar me shkrim nga Dekani ose Rektori për të kryer kontroll.
Studenti, në sistemin me ose pa shkëputje nga puna, nuk lejohet të hyjë për të dytën herë në provimin e një lënde, brenda një sesioni. Studenti paraqitet në provim me dokument identifikimi me fotografi.

Riprovimet dhe mbartja


Studenti ka të drejtë të hyjë në sesionin e vjeshtës (sesioni i riprovimeve) në të gjitha provimet që ka të pashlyera nga viti/vitet akademik(e) që ka ndjekur. Studenti kalon në vitin pasardhës në rast se ka i kanë mbetur pa shlyer lëndë që në sistemin e krediteve përbëjnë të paktën 50% të krediteve të vitit (viteve) paraardhëse. Ky rregull është në fuqi vetëm për studentët e viteve të para dhe të dyta që e zhvillojnë mësimin me programet e reja të bazuara në Deklaratën e Bolonjës. Studenti bursist humbet të drejtën e bursës për vitin që përsërit.
Studenti në sistemin pa shkëputje nga puna (korespondencë) , është i detyruar që në vitin pasardhës, të shlyejë paraprakisht detyrimet e mbetura; mbas kësaj, i lind e drejta të shlyejë detyrimet e kursit që ndjek.
Studenti i vitit të fundit që, në përfundim të provimeve të kursit, rezulton me deri tri detyrime të palikuiduara, ka të drejtë t'i likuidojë ato në një periudhë të caktuar nga dekanati, përpara sesionit të provimit të shtetit. Studenti që shlyen këto detyrime, lejohet të hyjë në provimin e formimit ose në mbrojtjen e diplomës. Në rast të kundërt, detyrohet të shlyejë këto detyrime në sesionin e riprovimeve (të vjeshtës) ndërsa diplomimi bëhet në sesionin e dimrit. Studentët e vitit të fundit, që në përfundim të sesionit të verës rezuItojnë me më shumë se tre detyrime të pashlyera, konsiderohen përsëritës për atë vit shkollor.
Në çdo fund sesioni, dekanati shpall studentët përsëritës dhe ata të përjashtuar.
Studentët që lëvizin në kuadrin e projekteve e programeve ndërkombëtare në të cilat Fakulteti i Ekonomisë merr pjesë, lirohen nga detyrimet e frekuentimit të parashikuara nga neni 21. Atyre u njihen provimet e dhëna jashtë shtetit për lëndët e ngjashme dhe kur kthehen në Atdhe, mbi bazën e ekuivalentimeve nga departamentet përkatëse duhet të shlyejnë detyrimet e lëndëve të tjera.

Praktika Profesionale


Për studentët që kanë filluar studimet përpara vitit akademik 2005-2006 në programin mësimor është përcaktuar një periudhë praktike mësimore prej dy javësh. Kjo periudhë praktike zhvillohet gjatë muajit Qershor.
Në programet e reja, për studentët që kanë filluar studimet duke filluar nga viti akademik 2005-2006, është parashikuar një periudhë praktike mësimore (profesionale) e kombinuar me periudhën e përgatitjes së diplomës. Kjo periudhë është e shtrirë në të gjithë semestrin e tetë (semestri i dytë i vitit të katërt).
Studentët e kanë të detyrueshme kryerjen e praktikës profesionale Me fillimin e vitit të fundit akademik, Departamenti u komunikon studentëve kohën e kryerjes dhe programin e praktikës. Studenti që nuk realizon programin e praktikës i nënshtrohet rregullave të vendosura si për të gjitha detyrimet e tjera.
Praktikat zhvillohen në institucione publike, banka, biznese private, OJF etj sipas profilit të përgatitjes së studentit dhe nën drejtimin e pedagogut të caktuar nga Departamenti përkatës. Studenti detyrohet të respektojë rregullat e institucionit ku kryen këtë proces.
Gjatë kryerjes së praktikës, pedagogu që e drejton atë, ushtron kontroll të vazhdueshëm dhe mban lidhje me qendrën ku ajo kryhet. Në përfundim të praktikës, studenti përgatit një raport për punën e kryer e cila vlerësohet nga pedagogu që e drejton praktikën, pasi merr edhe mendimin e qendrës ku është kryer ajo. Raporti mbrohet dhe vlerësohet nga një komision i ngritur nga Departamenti.

Transferimet, Ndërrimi i Sistemit të Studimeve


Fakulteti i Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, mbi bazën e Statutit dhe Rregullores së Universitetit pranon transferime studentësh në vite të ndërmjetme nga universitete të tjera, në të njëjtën degë e sistem dhe lejon largimin e studentëve të tij për në universtitete të tjera, sipas procedurave të parashikuara në këtë Rregullore. Procedurat transferuese përfundojnë një muaj para fillimit të vitit akademik.
Studentët e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës të cilët duan të transferohen në universitete të tjera të vendit, në të njejtën degë e sistem, paraqesin kërkesën në Dekanatin e Fakultetit deri në mbarim të vitit shkollor (korrik – gusht).
Dekanati shqyrton kërkesat dhe, nëse e gjykon të arsyeshme, ia përcjell Rektoratit i cili kur merr vendimin miratues, u përcjell propozimet universiteteve përkatëse. Pas përgjigjes së pranimit nga Universiteti pritës, përcillet dokumentacioni i plotë i studentit: detyrimet e shlyera me notat përkatëse, dëftesa e shkollës së mesme, dokumentacioni i bursës etj.
Për studentët e Fakulteteve të Universiteteve të tjera që duan të transferohen në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, propozimi vjen nga Rektorati që ka në varësi Fakultetin e Ekonomisë përcjellës.
Rektorati, pasi ka marrë mendimin e dekanatit përkatës, duke patur parasysh mundësitë e kapacitetin e degës (deri në 5% të numrit të pranimeve të reja të vitit) si dhe rezultatin e ekuivalentimit, duke respektuar nenin 30 të kësaj Rregulloreje, vendos për transferimin e studentit.
Vendimi shoqërohet me të dhëna të hollësishme për studentin: dega, kursi, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera dhe notat përkatëse, certifikatë e gjendjes civile me fotografi, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e lëndëve që ka kryer.
Për Studentët që duan të transferohen në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, komisioni i ekuivalentimit, i ngritur pranë çdo Departamenti, mbi bazën e dokumentacionit që dërgon universiteti përkatës, përcakton detyrimet që do të ketë studenti, nëse pranohet në atë degë, sipas planit mësimor në fuqi si dhe njohjen e shlyerjes së lëndëve me ekuivalencë.
Kalimi nga sistemi me shkëputje nga puna, në sistemin pa shkëputje nga puna, bëhet me vendim të Rektoratit, mbi bazën e kërkesës së studentit të interesuar, pasi të ketë mbaruar vitin e parë ose të dytë.
Kalimi nga sistemi pa shkëputje nga puna, në sistemin me shkëputje nga puna, bëhet me vendim të Rektoratit, mbi bazën e propozimit të Dekanatit të Fakultetit të Ekonomisë të Tiranës, duke patur parasysh që: studenti të ketë likujduar të gjitha detyrimet e vitit të parë ose të dytë, dhe të ketë mesataren e notave të tyre mbi 8.5. Në të dy rastet e kalimeve të përmenduar më sipër duhet të mos cënohet numri i kuotave të studentëve në kurset përkatëse të caktuara nga qeveria dhe MASH.

Diplomimi


Në përfundim të kursit të plotë të Studimeve, studentët kanë të drejtë të diplomohen për të fituar titullin përkatës profesional. Diplomimi bëhet me mbrojtjen e një teme diplome.
Departamentet përkatëse, brenda një muaji nga dita e filIimit të vitit shkollor, u bëjnë të njohur studentëve të vitit të fundit temat e diplomës.
Caktimi i specialistëve që do të udhëheqin temat e diplomës, bëhet nga Departamenti përkatës dhe miratohet në Dekanat.
Dekani miraton listën e studentëve që marrin tema diplomash dhe drejtuesit e tyre. Kur për arsye të ndryshme, studenti ndërron mendim për marrje diplome ose drejtuesi nuk ka mundësi që ta drejtojë atë, Përgjegjësi i Departamentit bën ndryshimet përkatëse duke vënë në dijeni për këtë Dekanin e Fakultetit.
Mbrojtja e temës së diplomës bëhet në dy sesione: i verës dhe i dimrit, të cilët përcaktohen nga Dekanati i Fakultetit. Kandidati diplomant i cili rrëzohet në sesionin e parë të mbrojtjes së diplomës, ka të drejtë të riparaqitet për mbrojtje në sesionin e ardhshëm.
Kandidati diplomant pajiset nga Dekanati i Fakultetit me titullin "Specialist i Lartë i Padiplomuar", me një dëshmi ku shënohen edhe notat e lëndëve të likujduara.

Studenti që ka plotësuar të gjitha kërkesat e planit mësimor dhe ka mbrojtur diplomën, pajiset me diplomën përkatëse, të shoqëruar me fletën e notave të fituara gjatë viteve të studimeve. Diploma plotësohet me shkrim, qartë e me bojë teknike dhe nënshkruhet nga Kryetari i Komisionit të provimeve të formimit, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Rektori i Universitetit të Tiranës. Për secilin prej tyre shënohet emri, mbiemri, grada dhe titulli shkencor. Nënshkrimet e tyre vërtetohen me vulën e Universitetit të Tiranës.
Tërheqja e diplomës bëhet personalisht nga i diplomuari, kundrejt nënshkrimit dhe evidentohet në regjistrin përkatës. Nëse prania e të diplomuarit është objektivisht e pamundur, tërheqjen e diplomës mund ta bëjë një nga pjestarët e familjes, të pajisur me prokurë të posaçme, duke paraqitur dhe letërnjoftimin e tij.
Nëse diploma nuk është plotësuar në rregull, i interesuari duhet të mos e tërheqë atë dhe të kërkojë pajisjen me diplomë të rregullt. Nëse i interesuari e tërheq diplomën e parregullt, në rast se i humbet origjinali ose i dëmtohet ai duke u bërë i papërdorshëm, Fakulteti i Ekonomisë nuk lëshon dublikatë.
Lejohet vetëm dhënia e listës së notave të fituara dhe vërtetimi me fotografi i cili është ekuivalent me diplomën, pasi nënshkruhet nga Rektori i Universitetit, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, dhe Kryesekretarja e Fakultetit.
Dorëzimi i diplomave bëhet me ceremoni në të cilën marrin pjesë autoritetet e Fakultetit, përfaqësues të Rektoratit dhe të ftuar të tjerë. Për studentët që kanë përfunduar studimet me të gjitha notat dhjeta, jepet Certifikata dhe "Medalje e Artë". Për studentët që, gjatë studimeve, kanë marrë mbi 80% të notave 10 (dhjeta) dhe pjesën tjetër vetëm 9 (nënta), jepet Certifikata "Student i Shkëlqyer".



Vini re!
Perreth territorit dhe brenda ambjenteve te godinave te Fakultetit te Ekonomise nuk lejohet afishimi, reklamimi, ekspozimi apo shperndarja e cfaredo materiali publikues, pa marre leje me shkrim nga personi pergjegjes!