Biografia: Mariel Frroku ka përfunduar studimet me medalje të artë në programin Master i Shkencave në Financë dhe doktoraturën në fushën e “Financave Publike”, me temë “Ndikimi i decentralizimit në menaxhimin financiar të qeverisjes vendore”, pranë Departamentit të Financës në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer specializime në organizata ndërkombëtare në fushën e menaxhimit të financave publike, politikave publike, decentralizimit dhe menaxhimit të llogarive kombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Qendra e Ekselencës në Financë dhe Akademia e Hagës për Qeverisje Lokale.
Që prej vitit 2016, Mariel Frroku është angazhuar si pedagog i jashtëm pranë Departamentit të Financës në FEUT, ndërkohë që ka ndërtuar një karrierë të gjatë profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit pranë Ministria e Financave, duke qenë pjesë e reformave të rëndësishme në menaxhimin e financave publike në nivel qendror dhe vendor, në role teknike dhe drejtuese. Marieli ka qenë pjesë e grupeve të punës për hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore, përfshirë ligjin “Për financat e vetëqeverisjes vendore” dhe kuadrin nënligjor që rregullon planifikimin, monitorimin, zbatimin dhe menaxhimin e financave vendore. Në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare, ka kontribuar në hartimin e metodologjive për financimin e pushtetit vendor, granteve të qëndrueshme dhe marrëdhënieve fiskale ndërqeveritare. Mariel Frroku ka drejtuar gjithashtu departamentin e buxhetit dhe menaxhimit financiar pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të reja të reformës në drejtësi.
Nga viti 2022 është Lektor me kohë të plotë pranë FEUT, duke kontribuar në mësimdhënie dhe si autor i disa botimeve shkencore në revista të indeksuara në SCOPUS apo konferencave ndërkombëtare në fushën e menaxhimit të financave publike. Gjithashtu, ka një eksperiencë të gjatë si ekspert kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën menaxhimit financiar publik në projekte të financuara nga Delegacioni i Bashkimit Europian, Ambasada Zvicerane (SECO dhe SDC) Banka Botërore, ekspert i lartë pranë Komisioneve Parlamentare të Kuvendit dhe Këshilltar i jashtëm i Ministrit të Shtetit Për Pushtetin Vendor.
Fusha e kërkimit: Menaxhimi Financiar Publik, Politikat Publike, Decentralizimi dhe Marrëdhëniet Fiskale Ndërqeveritare.
Lëndët: Drejtimi Financiar i Organizatave Publike, Drejtimi Fiskal dhe Taksimi.