Çfarë do të gjeni pranë Qendrës së Karrierës:
Gjatë vitit akademik, QAL organizon një sërë aktivitetesh, të cilat janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me ju të dashur studentë, psh:
“Të njohim fakultetin”
Shkolla Verore/Dimërore
Takime të hapura
Leksione të hapura
Kampionati i Debatit
Panairi i Karrierës
“Të dhurojmë pak dashuri”
Bussines Trip
Bussines Speed Dating etj, duke u dhënë mundësi pjesëmarrjeje të gjithë studentëve të interesuar.

Workshop-e
Workshop-et zhvillohen në formën e seminareve të përjavshme, gjatë të cilave studentët orientohen për një temë të caktuar, si edhe shkëmbejnë njohuritë e tyre me njëri - tjetrin. Disa nga temat që trajtohen në këto workshope të përjavshme janë: “Ndërtimi i një CV-je”, “ Një intervistë e suksesshme” etj.

Trajnime
Trajnimi është një proces i të mësuarit që shërben për përmirësimin e aftësive dhe rritjen e performancës së studentit në fushën e tij të studimit apo në mjedisin e punës. Qendra e Karrierës, në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet, kompanitë dhe organizatat e ndryshme, zhvillon përgjatë vitit akademik trajnime me tematika të ndryshme.

Informacion
Në lidhje me mobilitetet dhe bursat e studimeve jashtë vendit, si edhe ndihmë përgjatë gjithë procesit të aplikimit, si edhe informacion mbi mbrojtjen e testeve të gjuhës angleze TOEFL dhe TOEIC.

Angazhim Vullnetar
Qendra e Karrierës ka si pjesë mjaft të rëndësishme të saj grupin e studentëve vullnetarë. Këta studentë janë pjesë e pandarë dhe mjaft aktive në organizimin e çdo aktiviteti, si edhe në propozimin e eventeve të reja. Nëpërmjet tyre, QAL nxit qasjen pozitive ndaj punës vullnetare dhe i jep mundësi studentëve të përfitojnë eksperienca mjaft të vlefshme. Studentët vullnetarë të degëve dhe viteve të ndryshme formojnë një rrjetë kompakte të vullnetarëve të Qendrës. Energjia, pozitiviteti dhe gatishmëria e studentëve vullnetarë, bashkëpunimi i tyre me njëri tjetrin dhe qendrën, çojnë në suksesin në rritje të kësaj strukture. Kjo eksperiencë e shkëlqyer është trampolina më e mirë për të ecur të sigurt drejt një karriere të shkëlqyer me aftësitë ndërpersonale, akademike dhe profesionale të fituara. Sot, numërohen mbi 600 studentë vullnetarë të QAL. Në fund të çdo viti akademik studentët vullnetarë pajisen me një certifikatë mirënjohje. Secili prej jush që dëshiron të jetë pjesë e studentëve vullnetarë, mund t'i drejtohet zyrave tona ose të plotësojë online formularin e aplikimit. Kjo është mundësia që meritoni për ta shfrytëzuar! Bëhu edhe ti pjesë!

Internship-e
Programi Internship / Praktikë mësimore është një eksperiencë e vlefshme, gjatë së cilës studenti angazhohet vullnetarisht pranë një subjekti apo institucioni partner dhe zhvillon aftësitë praktike të punës. Qendra e Karrierës i mundëson studentëve praktika dhe internship-e, duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët e saj. Këto programe janë mjaft të rëndësishme, pasi studentët konkretizojnë njohuritë teorike dhe krijojnë një perceptim real mbi mjedisin e punës.

Mundësi Punësimi
Për të përmbyllur misionin e saj final, QAL shërben si urë lidhëse midis studentëve dhe tregut të punës, duke krijuar kontaktet e duhura me punëdhënësit potencialë, për kërkimin e mundësive të reja të punësimit. Sot, ne numërojmë raste të shumta suksesi të studentëve të Universitetit të Tiranës, të cilët janë bërë pjesë e stafit të disa prej institucioneve dhe kompanive më të njohura në treg. Burimet njerëzore janë aseti më i çmuar i tyre dhe UT i ofron potencialin më të mirë. QAL është gjithmonë në kërkim të bashkëpunimeve të reja.

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.