Dekanati Fakultetit të Ekonomisë-UT, gjatë gjithë ditës së sotme ka përjetuar me shqetësimin më të madh ngjarjen e ndodhur mbrëmë në datë 4 nëntor në Sheshin Demokracia në Qytetin Studenti.
Drejtues dhe pedagogë të Fakultetit, kanë mbajtur kontakte me strukturat e Policisë së Shtetit dhe institucione të arsimit të lartë për ngjarjen e pa precedentë dhe të shëmtuar, ku kanë mbetur të lënduar studentë të Fakultetit të Ekonomisë, nga disa persona të panjohur jashtë ambjenteve ku zhvillohej mësimi.
Dekanati i FE-UT, dënon me forcë dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe bën thirrje se askush nuk mund të guxojë dhe as të shkojë nëpër mend, të cënojë studentët në ambjentet universitare dhe përreth tij.
Dekanati i Fakultetit të Ekonomisë solidarizohet dhe mbështet Studentët dhe kërkon nga organet e Policisë së Shtetit të vërë para përgjegjësisë personat përgjegjës të kësaj ngjarjeje.