letsgeps.png

Më 11 Nëntor 2021, ekipi i LeTSGEPs në Universitetin e Tiranës organizoi workshopin e dytë kombëtar me partnerë strategjikë në vend për të prezantuar Planin e Barazisë Gjinore të Universitetit të Tiranës i cili është dizenjuar në kuadër të projektit LeTSGEPs. Ky takim u organizua online dhe zgjati rreth tre orë duke tërhequr vëmendjen e shumë institucioneve dhe përfaqësuesve që u bënë pjesë e rëndësishme në këtë takim. Mbi 60 pjesëmarrës nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Universitete publike dhe jo publike në vend dhe nga agjensi si AKKSHI, ASCAL, UN Women, OSCE, por edhe organizata të ndryshme joqeveritare u bënë pjesë e takimit ku prezantuan idetë e tyre në lidhje me Planin e Barazisë Gjinore dhe implementimin e tij.

 Universiteti i Tiranës është partneri i vetëm që përfaqëson Shqipërinë në këtë projekt që ka si qëllim prezantimin e Planeve dhe Buxheteve të Barazisë Gjinore. Kujtojmë që Planet e Barazisë Gjinore janë një kriter i rëndësishëm që duhet plotësuar tashmë nga të gjitha Institucionet akademike dhe kërkimore që synojnë të përfitojnë fonde nga programet e Bashkimit Europian, si Erasmus +, Horizon, etj. Universiteti i Tiranës është i vetmi institucion akademik dhe kërkimor në Shqipëri që qëndron në pararojë të kësaj iniciative për institucione të kësaj natyre. Këto përpjekje janë hasur kryesisht në nivel qeverisje lokale dhe qendrore, por jo në institucione akademike dhe kërkimore ne vendin tone.

Takimi u moderua nga Prof. Asoc. Dr. Merita Xhumari e cila bëri një prezantim të përmbledhur të Planit të Barazisë Gjinore në Universitetin e Tiranës dhe hapat e ndjekura për dizenjimin dhe miratimin e tij. Më tej fushat specifike të këtij plani u prezantuan në mënyrë të detajuar nga pjesëtarë të tjerë të projektit LeTSGEPs, Prof. Dr. Ingrid Shuli, Prof. Dr. Rajmonda Duka, Prof. Asoc. Dr. Rezarta Perri, Prof.Asoc. Dr. Etleva Leskaj, dhe Dr. Linda Gjika. Për secilen fushë të Planit, pati prezantime nga kërkues, profesorë dhe palë të interesuara të fushës së barazisë gjinore, të cilët dhanë mendimet e tyre dhe kontribuan me ide sesi këto fusha ishin të rëndësishme dhe mund të përmirësoheshin më tej. Pjesëmarrës të rëndësishëm në takim dhe që kontribuan me mendimet e tyre të vyera ishin Znj. Mirela Muca, Drejtore Ekzekutive e Agjensisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, z. Robert Dumi nga rrjeti Euraxess, Znj. Ermira Sala, Specialiste për Arsimin e Lartë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Znj. Xhiliola Bixheku nga Agjensia e Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë, Prof.Asoc.Dr. Eglantina Gjermeni, Fakulteti i Shkencave Sociale, Prof. Dr. Mimoza Hafizi nga Akademia e Shkencave etj. Workshopi u karakterizua në përgjithësi nga një komunikim konstruktiv dhe nga konfirmimi i mbështetjes nga pjesëmarrësit e ftuar, të cilët të gjithë shprehën gatishmerine për të qenë bashkëpunëtorë të rëndësishëm dhe aktivë të aktiviteteve të projektit LeTSGEPs në të ardhmen brenda fushës së institucioneve të tyre.

Klikoni për më tepër: 

Prezantimi i Planit të Barazisë Gjinore të Universitetit të Tiranës në Workshopin e dytë kombëtar.

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.