Ditën e martë, dt. 07.12.2021, në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë u zhvillua një leksion i hapur me temë “Rekrutimi dhe Seleksionimi në Maritim Hotel Plaza Tirana”.
Të pranishëm në aktivitet ishin Znj. Juna Beqiri, Menaxhere e Departamentit të Burimeve Njerëzore në Maritim Hotel Plaza Tirana dhe studentë të vitit të tretë në Bachelor Financë, Fakulteti i Ekonomisë.
Znj. Beqiri i njohu studentët dhe pedagogët me Politikat dhe Procedurat e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore në Maritim Hotel Plaza Tirana dhe veçanërisht me Procedurat e Rekrutimit dhe Seleksionimit të stafit në hotel. Vëmendje e veçantë ju kushtua problematikave aktuale të qarkullimit të lartë të punonjësve me të cilat po ndeshet industria e mikëpritjes në vendin tonë, si dhe politikave që Maritim Hotel Plaza Tirana po ndërmerr për zhvillimin e Employer Branding dhe shndërrimin në një “punëdhënës tërheqës” për aplikantët. Gjithashtu studentët u njohën edhe me trendet e fundit të rekrutimit të punonjësve, si dhe të kandidatëve pasiv në rrjetet sociale.
Studentëve iu paraqiten rastet praktike në momentin e intervistimit për një vend pune dhe u dhanë disa këshilla për mënyrën se si duhet të prezantohen për të patur një intervistë të suksesshme.
Në fund të aktivitetit, studentë dhe pedagogë drejtuan pyetje në lidhje me temën e prezantuar.