konferenca_nderkombetare.JPG

Në kuadër të 65 vjetorit të krijimit të Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, UT, organizoi Konferencën Ndërkombëtare me temë “Rebound, Rebuild and Reinvent for a Sustainable and Equitable Development”.

Konferenca i zhvilloi punimet në datat 10 - 11 Qershor 2022. Në datën 10 Qershor, Ora 17:00-20:00, Konferenca u mbajt në Tirana International Hotel, Salla Balsha. Profesorë vendas e të huaj, drejtues të Universitetit të Tiranës, fakulteteve, drejtues të universiteteve të rajonit (Maqedonia e Veriut, Kosova), drejtues të institucioneve financiare të vendit, përfaqësues të biznesit vendas, studentë, morën pjesë në ceremonine e hapjes dhe patën mundësinë për t'u takuar e zgjeruar rrethin e kontakteve.

Aktiviteti u transmetua në shqip dhe në gjuhën angleze (Linku i konferencës)

Profesor Dhori Kule, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Drejtues i Konferencës, në fjalën e tij hapëse ndër të tjera prezantoi një panoramë të stafit akademik të Fakultetit të Ekonomisë, programet e studimit dhe fushat kërkimore etj. (Fjala e plotë e Prof. Dr. Dhori Kule në attach)

Znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë, përshëndeti konferencën dhe veç të tjerash prezantoi dhe programin e tregut të punës për "Garancinë Rinore".

Më pas, ndërmjet Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Znj. Delina Ibrahimaj në cilësinë e Kryetares së Këshillit Kombëtar të Investimeve dhe Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Dhori Kule u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi.

Znj. Milva Ekonomi, Ministre e Shtetit për Standartet dhe Shërbimet iu drejtua pjesëmarrësve duke vlerësuar nevojën e kërkimit shkencor të ekonomistëve për gjetjen e zgjidhjeve që koha ka shtruar përpara shoqërive dhe shteteve pas pandemisë Covid 19 dhe luftës në Ukrainë.

Kryetari i Bashkisë Berat, Prof. Asoc. Ervin Demo përshëndeti konferencën në emër të pushtetit vendor.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof Artan Hoxha, iu drejtua pjesëmarrësve duke përgëzuar aktivitetin kërkues të profesoratit të Universitetit të Tiranës dhe planet për mbështetjen e fuqizimin e kërkimit shkencor në fakultete.

Z. Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, si një nga folësit kryesorë, mbajti referimin shkencor me analizën për ndërhyrjet me instrumenta e paketa fiskale që Banka e Shqipërisë bëri për të lehtësuar pasojat e papunësisë shkaktuar prej pandemisë Covid-19.

Në ditën e dytë, konferenca zhvilloi punimet në 12 seanca paralele në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, ku profesorë vendas e të huaj, ndanë këndvështrime e gjetje nga kërkimi i tyre shkencor në fushat:

- “Macroeconomic diagnostics and structural reforms”

- “Tools and policies for inclusive growth - shaping the future”

- “Challenges of modern finance”

- “Sustainable financial development”

- “Financial Reporting and Tax Reform Challenges”

- “Accounting and Auditing boosted by ICT”

- “Training and Development”

- “Good governance challenges”

- “Marketing under new challenges”

- “Sustainable tourism”

- “ICT, business and society”

- “Information Security and Data Analysis”

Foto nga aktiviteti

Copyright © 2025 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.