Prof. Dr. Artan Hoxha, Rektor i Universitetit të Tiranës

Të dashur studentë,

Më lejoni t`ju uroj Gëzuar ditën Tuaj, ditën e Rinisë!

30 vite më parë, në 8 Dhjetor të vitit 1990, studentë, pedagogë, intelektualë dhe qytetarë të angazhuar shënjuan kthesën e madhe historike në Shqipëri, atë të rënies së komunizmit dhe lindjen e demokracisë. Me thirrjen ‘e duam Shqipërinë si gjith’ Europa’ të rinjtë kërkuan garantimin e pluralizmit politik dhe ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike, duke synuar më tej vendosjen e shtetit të së drejtës dhe integrimin e plotë në familjen evropiane.

Sot, të gjithë ne së bashku, studentë dhe pedagogë, kemi për detyrë të forcojmë më tej kulturën e demokracisë në Universitet si edhe të kontribuojmë si model për shoqërinë tonë, për të kultivuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, lirinë e shprehjes, barazinë, mosdiskriminimin, bashkëjetesën fetare, etj., të drejta këto që sigurojnë baza të forta për paqe dhe progres në shoqëri.

Demokracia u jep të drejta qytetarëve që vijnë njëkohshëm me detyra dhe përgjegjësi, ndaj Ju ftoj të aktivizoheni që të jeni pjesë integrale e Universitetit por edhe komunitetit ku jetoni duke u bërë garant i parimeve dhe të drejtave të shoqërisë sonë, për ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

Të gjithë së bashku të përpiqemi që me punën tonë, studimin, kërkimin, solidaritetin të çojmë më tej aspiratat e të rinjve të Dhjetorit’90 për një Shqipëri evropiane, që nesër të ndihemi krenarë për brezat që do të vijnë.

Gëzuar dhe për shumë vjet!

Prof. Dr. Artan Hoxha

Rektor i Universitetit të Tiranës

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.