Të dashur studentë, të nderuar kolegë dhe punonjës të Fakultetit të Ekonomisë,

Ju urojmë shëndet për Ju dhe familjarët Tuaj.

Maturantët që zgjodhën të studiojnë në Fakultetin e Ekonomisë i sigurojmë që kanë bërë zgjedhjen e duhur. Praktika tregon se përfundimi i studimeve dhe marrja e një diplome nga FE siguron punësim në tregun vendas dhe atë të huaj. Të diplomuarit në fakultetin tonë kërkohen menjëherë nga tregu i punës dhe një pjesë e tyre aktualisht janë edhe në nivelet më të larta drejtuese në institucionet publike dhe private. Shumë prej tyre janë përshtatur shumë mirë edhe me tregun ndërkombëtar të punës. Tradita, drejtuesit e fakultetit, personeli akademik dhe ai administrativ, kurrikulat mësimore, infrastruktura tërësisht bashkëkohore janë garanci për sukses.

Për të katërtin vit rradhazi, Fakulteti i Ekonomisë, UT ofron mësimdhënien në Gjuhën Angleze, në të paktën tre degë të ciklit të studimeve Bachelor. Gjithashtu në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit, por jo vetëm, tashmë traditë e FE janë shkëmbimet e studentëve dhe stafit nga projektet Erasmus+, të cilët mundësojnë zhvillimin e semestrave studimorë jashtë vendit por edhe studentë të huaj të vijnë në vendin tonë. Ashtu sikurse vijon me sukses aplikimi dhe realizimi i projekteve të ndryshme të fituara kombëtare e ndërkombëtare.

Meritojnë një falenderim të veçantë dhe mirënjohje të gjitha strukturat tona akademike dhe administrative që janë angazhuar me përkushtim dhe kanë marrë të gjitha masat për të garantuar një proces mësimor cilësor.

Stafi akademik i Fakultetit të Ekonomisë vazhdon avancimin akademik, ku aktualisht numërohen 125 pedagogë me kohë të plotë me tituj dhe grada, 68 prej të cilëve nga kategoria Profesor. Nga viti i kaluar FE ka edhe një grup me doktorantë të rinj të cilët sëbashku me drejtuesit e doktoraturave të tyre përbëjnë një potencial shtesë në kërkimin shkencor jo vetëm në Fakultetin e Ekonomisë por edhe si kontribut në zhvillimin ekonomik të vendit duke i shërbyer me kërkime e projekte konkrete sipas nevojave të institucioneve publike e private.

Suksese dhe një vit i mbarë akademik për të gjithë ne!

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës

Prof. Dr. Dhori Kule

 

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.