Takim_i_stafit_të_FEUT_me_z.Randy_Durband_1.jpeg

 

Me mbështetjen e Risi Albania, ditën e Premte, 11 Nëntor 2022, në mjediset e Fakultetit të Ekonomisë, zëvendës dekanët e Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Fatmir Memaj dhe Dr. Martin Sereqi pritën në një takim z. Randy Durband, CEO i Këshillit Global të Turizmit të Qëndrueshëm - GSTC (https://www.gstcouncil.org/). Zëvendësdekanët në këtë takim i prezantuan z. Durband Fakultetin e Ekonomisë, UT dhe e informuan lidhur me punën që bëhet në Fakultetin e Ekonomisë për procesin mësimor, por sidomos në drejtim të kërkimit shkencor.

GSTC është autoriteti kryesor global i standarteve të qëndrueshmërisë në udhëtim dhe turizëm i cili mbështetet nga disa divizione të OKB, kompani udhëheqëse në tregun botëror të turizmit si edhe nga organizata botërore të tregtisë dhe bizneseve të turizmit. Një prej aktiviteteve kryesore të GSTC është edhe edukimi. 

Në vijim z. Durband zhvilloi një takim me disa anëtarë të stafit akademik të Departamentit të Marketing Turizmit. Gjatë takimit, Përgjegjësi i Departamentit Prof. Asoc. Mirdaim Axhami dhe kolegët pjesëmarrës prezantuan rolin e fakultetit dhe departamentit në përgatitjen e studentëve sipas kërkesave të tregut të punës në turizëm. 

Në veçanti u vu në pah qasja e qartë e Fakultetit të Ekonomisë lidhur me ndërtimin e marrëdhënieve me aktorët e ndryshëm në fushën e turizmit, autoritetet qendrore dhe vendore, organizatat e shoqërisë civile dhe veçanërisht biznesin, i cili udhëheq procesin e standarteve të profesioneve në turizëm. Diskutimi kryesor u zhvillua rreth pasurimit të ofertës së FEUT me programe të larmishme në fushën e turizmit dhe pajisjes së kësaj oferte me elementë spikatës dhe konkurrues.

Z. Durband përgëzoi stafin drejtues dhe akademik të fakultetit për punën e bërë dhe inkurajoi shfrytëzimin e standarteve të turizmit të qëndrueshëm që GSTC promovon. Nga ky takim rezultuan disa mundësi bashkëpunimi me fokus ofrimin e kurseve të dedikuara për studentët dhe pajisjen e tyre me çertifikatë të GSTC. 

Foto nga takimi

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.