Në data 17-18 Nëntor 2022 u zhvillua në Fakultetin e Ekonomisë konferenca shkencore ndërkombëtare “Ekonomia Qarkulluese: Mundësitë dhe Sfidat”.
Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Tiranës aplikoi si partner kryesor dhe fitoi mbështetjen nga Central European Initiative – CEI për të menaxhuar punën me të gjithë universitetet partnere dhe për zhvillimin e kësaj konference shkencore ndërkombëtare. Në rrafshin shkencor, partnerët e kësaj konference shkencore, të drejtuar nga Fakulteti i Ekonomisë, UT, janë 16 Universitete nga 11 shtete të Europës:
- University i Tiranës (Shqipëri)
- Universiteti “Dzemal Bijedic: në Mostar (B&H)
- Universiteti i Tuzlas (B&H)
- Universiteti i Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore (Bullgari)
- Universiteti Çek i Shkencave në Pragë (Çeki)
- Universiteti i Breshias (Itali)
- Universiteti i Salentos (Itali)
- Universiteti i Dubrovnikut (Kroaci)
- Universiteti i Tetovës (Maqedoni e Veriut)
- Universiteti Ndërkombëtar i Strugës (Maqedoni e Veriut)
- Universiteti i Kielce (Poloni)
- Universiteti i Rzeszow (Poloni)
- Universiteti Bujësor Sllovak në Nitra (Sllovaki)
- Universiteti Metropolitan i Tiranës (Shqipëri)
- Universiteti Danubius në Galati, (Rumani)
- Universiteti Kombëtar i Ekonomisë “Simon Kuznets” në Kharkiv (Ukrainë)
Nën drejtimin e Fakultetit të Ekonomisë, UT, kjo konferencë shkencore u zhvillua në formë hibride (me prezencë fizike dhe online) jo vetëm nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, por edhe nga Universiteti Danubius në Galati, (Rumani), Universiteti Bujqësor Sllovak në Nitra (Sllovaki), Universiteti i Tetovës (Maqedoni e Veriut) dhe Universiteti Kombëtar i Ekonomisë “Simon Kuznets” në Kharkiv (Ukrainë).
Seancën plenare të konferencës e drejtoi Prof. Fatmir Memaj, zëvendës dekan i Fakultetit të Ekonomisë. Punimet e konferencës u përshëndetën nga Prof. Asoc. Bernard Dosti, zëvendës rektor i Universitetetit të Tiranës, Prof. Mimoza Kasimati, zëvendës dekane e Fakultetit të Ekonomisë, z. Peter Canciani, përfaqësuesi i CEI dhe përfaqësuesit e shumë prej universiteteve partnere. Në veçanti, z. Canciani, përfaqësuesi i CEI përgëzoi jo vetëm Fakultetin e Ekonomisë të UT si partneri kryesor por edhe universitetet e tjera partnere për organizimin e kësaj konference si një risi jo vetëm në formën e organizimit por edhe në subjektin e zgjedhur për ta trajtuar në një dimension shumë të gjerë.
Në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare u prezantuan dhe u zhvilluan debate lidhur me 116 kumtesa nga 191 autorë të cilët ndanë dhe debatuan mendimet dhe gjetjet e tyre kërkimore lidhur me strategjitë dhe mekanizmat ekonomik për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe Ekonominë Qarkulluese në përputhje me prioritetet kombëtare të vendeve anëtare të CEI.
Arritje e kësaj konference është edhe fakti se në sesionet e saj morën pjesë edhe studiues nga universitete të tjera të Bashkimit European dhe nga vende të tjera të Eropës por edhe nga studiues nga universitete të tjera me shtrirje gjeografike nga kontinetet e tjera të botës si Amerika e Veriut dhe Azia.
Konferenca shkencore ndërkombëtare për Ekonominë Qarkulluese është një multiplatformë që bashkoi studiuesit akademikë, autoritetet qendrore dhe lokale, përfaqësuesit e biznesit dhe politikëbërësit për të paraqitur dhe debatuar rezultatet e tyre kërkimore, pikëpamjet dhe përvojën e tyre mbi sfidat dhe mundësitë në kalimin nga ekonomia lineare drejt një mënyre më efikase të përdorimit të burimeve natyrore që është ekonomia qarkulluese.
Ashtu si shumë vende të zhvilluara të botës tashmë është koha dhe synohet të rimendohet lidhur me mënyrën e prodhimit dhe konsumit duke adoptuar një qasje qarkulluese, e cila mund të kursejë lëndët e para, të përmirësojë mjedisin dhe konkurrencën e bizneseve. Në këtë skenar pune, sesionet ndërdisiplinore, panelet dhe grupet e punës në konferencë prezantuan dhe diskutuan zgjidhje të reja për ekonominë e gjelbër dhe qarkulluese në tre dimensionet e saj, dimensionet ekonomike, sociale dhe mjedisore.