7.jpeg

Departamenti i Kontabilitetit i FEUT, në përputhje me Ligjin 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”  në kuadër të projekteve konkurruese e të shpallura fituese dhe të miratuara nga Dekani i FEUT për punën kërkimore të financuar nga FEUT, në datën 9 Dhjetor 2022, në ditën botërore të luftës kundër korrupsionit, zhvilloi nga ora 10:30 – 13:30 Workshop-in me temë “Roli i profesionit kontabël në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik”. Qëllimi i këtij workshop-i ishte rritja e mëtejshme e bashkëveprimit ndërinstitucional si edhe të evidentohej roli i profesionistëve kontabël si një instrument në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.

Në këtë aktivitet ishin të ftuar dhe morën pjesë përfaqësues nga institucione të ndryshme të tilla si Fakulteti i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parasë, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Bordi i Mbikëqyrjes Publike, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar, etj. Workshop-i synoi nxitjen e diskutimeve në evidentimin e rolit të profesionistëve kontabël si edhe të aktorëve të tjerë bashkëpunues në zbatueshmërinë korrekte të akteve ligjore në fuqi.

Pedagogët e Departamentit të Kontabilitetit me referimet e tyre evidentuan faktorët që ndikojnë në korrupsion, nivelin e rregullimit ligjor në Shqipëri, rolin e profesionistëve kontabël dhe audituesve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, rolin e edukimit universitar të kontabilistëve dhe audituesve, etj.

Dekani i FEUT, Prof. Dr. Dhori Kule, theksoi midis të tjerash rolin që ka edukimi universitar në formimin e kontabilistëve si dhe bashkëpunimi i institucioneve me FEUT në drejtim të punës dhe projekteve kërkimore me interes të përbashkët, me intershipet, etj.

Përgjegjësja e departamentit, Prof. Dr. Ingrid Shuli vlerësoi punën e këtij projekti të Departamentit të Kontabilitetit për të evidentuar rolin e profesionistëve kontabël në luftën kundër korrupsionit.

Prof. Dr. Sotiraq Dhamo dhe Prof. Asoc. Dr. Mirela Miti paraqitën referimin Roli i profesionit kontabël në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik sipas IFACku evidentuan, që midis shumë aktorëve, profesionistët kontabël kanë një rol kyç në luftën kundër korrupsionit.

Dr. Nertila Çika në referimin e sajRoli i profesionit kontabël në luftën kundër korrupsionit” evidentoi faktorët kryesorë që ndikojnë në korrupsionin dhe krimin ekonomik.

Prof. Asoc. Dr. Mirela Miti me referiminKuadri rregullator në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik në Republikën e Shqipërisë” evidentoi tërësinë e kuadrit ligjor dhe institucional të ngritur në Shqipëri për të luftuar korrupsionin dhe krimin ekonomik.

Dr. Lirola Këri, Msc. Edison Zaçaj referuan temën “Roli i edukimit të profesionistëve kontabël në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik” duke paraqitur punën e bërë në FEUT dhe nga Departamenti i Kontabiliteti për hartimin e kurrikulave të masterit për formimin me edukimin e duhur profesional.

Dr. Jolta Kaçani, Msc. Indrit Ago dhe Msc. Esmeralda Yryku, me referimin e tyre “Informaliteti dhe roli i profesionistëve kontabël” evidentuan rolin që ka informaliteti në fenomenet e korrupsionit dhe krimit ekonomik dhe rolin e kontabilistëve për të luftuar informalitetin si një nga faktorët që ndikon në korrupsion, evazion dhe krimin ekonomik.

Doc. Dr. Julian Naqellari dhe Dr. Gentiana Filipi paraqitën referimin “Roli i Audituesve në parandalimin dhe zbulimin e transaksioneve me efekt në korrupsion dhe krimin ekonomik”.

Në diskutimet e zhvilluara në workshop nga pjesëmarrësit dhe përfaqësuesit e institucioneve u evidentuan që roli i profesionistëve kontabël dhe audituesve në luftën kundër korrupsionit është shumë i rëndësishëm pasi janë ata që hasen të parët me transaksionet dhe veprimet e paligjshme. Në luftën kundër korrupsionit kanë rëndësi njohja dhe zbatimi i standardeve të qëndrueshme ndërkombëtare me cilësi të lartë mbi raportimin financiar, auditimin dhe etikën profesionale. Edukimi, etika profesionale dhe mbikëqyrja  e profesionistëve kontabël dhe e audituesve janë thelbësore për rolin pozitiv në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. Roli i edukimit në nivel universitar dhe nga organizatat profesionale me standardet e etikës, kontabilitetit dhe auditimit është thelbësor.

Diskutimet evidentuan dhe nevojën e bashkëveprimit të mëtejshëm ndërmjet institucioneve, organizatave profesionale dhe Fakultetit Ekonomik si një faktor shumë i rëndësishëm për njohjen dhe zbatimin e kërkesave ligjore dhe profesionale për të luftuar korrupsionin dhe krimin ekonomik.

Profesioni i kontabilistit është një shtyllë thelbësore e institucioneve të forta dhe të qëndrueshme qeveritare, tregjeve financiare, ekonomive dhe shoqërisë, por ai nuk mund të zgjidhë problemin e korrupsionit vetëm, por në bashkëpunim me të gjithë aktorët e tjerë. Suksesi i luftës kundër korrupsionit varet nga zbatimi efektiv i ligjeve, vullneti dhe qeverisja e mirë politike, edukimi antikorrupsion dhe masat parandaluese, tërësia e të cilave forcojnë vetëdijen qytetare për të luftuar “kulturën” e korrupsionit, shkëmbimin e ndërsjellët të favoreve dhe krimin ekonomik. 

Foto nga Workshop-i i zhvilluar nga Departamenti i Kontabilitetit

Për më tepër mund të ndiqni në linqet më poshtë kronikat e publikuar në media:
Top Channel:https://top-channel.tv/video/top-channel-tenderat-shkak-per-korrupsion-pedagoget-nuk-duhen-tenderuar-kostot-por-perfitimet/
Vizion+: https://www.vizionplus.tv/lufte-korrupsionit-me-eksperte-pedagoget-e-ekonomise-kerkojne-perfshirjen-e-kontabilisteve/

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.