Bashkëpunimi midis Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës dhe Albanian-American Development Foundation (AADF) ka nisur në Qershor 2016.
- Bashkëpunimi i parë ka qenë projekti CleanScore i cili ka filluar zbatimin e tij mbështetur në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar midis Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Fakultetit të Ekonomisë. Nga Qershori 2016 deri tani në FEUT numërohen mbi 50,000 teste të korrigjuara përmes teknologjisë CleanScore. Projekti gjithashtu mbështet përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies duke zëvendësuar tekstet akademike me versionet e teksteve më të mira ndërkombëtare të përkthyera dhe botuara në shqip. Për të nxitur kërkimin shkencor cilësor, si dhe përdorimin e librarisë digjitale “JSTOR”, projekti ka ndërmarrë çdo vit iniciativën për të zhvilluar Konkursin e Punimeve Kërkimore. Pjesëmarrja në këtë konkurs është e hapur për të gjithë studentët që vijojnë të ndjekin studimet në të gjitha universitetet në Shqipëri dhe rajon.
- Një bashkëpunim i suksesshëm është programi i bursave MIP për Studime Master dhe për Praktikë Profesionale. Programi ambicioz “Masters and Internships Program” (MIP) synon t’iu ofrojë lidërve të së ardhmes mundësi unike për praktikë profesionale dhe studime master në fushat e Arsimit, Lidershipit, Teknologjisë dhe Inovacionit, Sipërmarrjes, Inovacionit dhe Zhvillimit, Turizmit Kulturor dhe Eko-turizimit me qëllim që profesionistët pas kthimit të tyre në Shqipëri, të përkushtohen në adresimin e sfidave të së ardhmes duke kontribuar në zhvillimin e fushave të lartpërmendura.
- Fakulteti i Ekonomisë, UT është pjesëmarrës aktiv në programin LEAD ALBANIA-Leadership experience and development. Qëllimi i Programit LEAD Albania është që t’iu sigurojë profesionistëve të rinj dhe të talentuar shqiptarë përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë. Pjesëmarrësve u ofrohet mundësia për të punuar në pozicione të larta në stafet drejtuese të institucioneve shtetërore si Kryeministria, Institucioni i Presidentit, Ministri të ndryshme, Institucionet Qeverisëse të Sistemit Gjyqësor dhe Bashkia e Tiranës. Programi ka si synim që individët e përzgjedhur jo vetëm të mësojnë në pozicionet e tyre, por edhe të kontribuojnë në mënyrë domethënëse në produktivitetin, eficiencën dhe novacionin tek institucionet pritëse.
- Më datë 18 Maj 2018, me propozim të Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës nderoi z. Michael Granoff, Kryetar Bordi i AADF-së me titullin Dr. Honoris Causa me motivacion “Për kontribut të çmuar në nxitjen dhe zhvillimin e modeleve të qëndrueshme dhe praktikave më të mira në fushat e ekonomisë, kulturës dhe arsimit në Shqipëri”.
- Një bashkëpunim tjetër i suksesshëm është edhe pjesëmarrja aktive në programin READ- Research Expertise from Academic Diaspora duke zhvilluar çdo vit takime informuese dhe duke patur sukses në aplikimet e realizuara. Në kuadër të këtij program kanë arrdhur në fakultetin e Ekonomisë Prof. Arben Asllani (Universiteti i Tenessee-Chattanooga-s) ShBA, i cili ka qenë staf i Fakultetit të Ekonomisë të UT dhe Endrit Kromidha (Universiteti i Birmingamit), Mbretëria e Bashkuar, të cilët kanë dhënë leksione të hapura dhe kanë bashkëpunuar me stafin e fakultetit.