IMG_4180.jpeg

Departamenti Marketing-Turizëm, FEUT., organizoi në datat 7- 8 Janar 2023 trajnimin dy ditor me temë “Kërkimi shkencor dhe publikimi në revistat prestigjoze ndërkombëtare” në Qendrën e Inovacionit dhe Sipërmarrjes në Marketing – Turizëm mbajtur nga Prof. Cleopatra Veloutsou, Shkolla e Biznesit Adam Smith, Universiteti i Glasgow e cila është një nga kërkueset më në zë në fushën e menaxhimit të markës dhe një aset në rangun akademik europian e botëror.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë Prof. Dr. Dhori Kule falenderoi Prof. Veloutsou për kontributin e saj në zhvillimin dhe përmirësimin e aftësive kërkimore të stafit akademik, në veçanti stafit të ri akademik dhe doktorantëve që morën pjesë në trajnim si dhe për nxitjen e bashkëpunimeve akademike për publikimin e punës shkencore. Forcimi i kapaciteteve kërkimore në FEUT dhe zhvillimi i kulturës kërkimore-shkencore dhe akademike në përputhje me Kartën dhe Kodin Evropian për Kërkuesit, Planin Strategjik të Kërkimit Shkencor të UT, Ligjin 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” mbetet prioritet i FEUT. 

Gjatë dy ditëve të trajnimit, Prof. Cleopatra Veloutsou, kërkuese shkencore në Universitetin e Glasgow në Mbretërinë e Bashkuar, drejtuese dhe redaktore e revistës prestigjoze shkencore “Journal of Product and Brand Management” botuar nga Emerald dhe redaktore e asociuar e revistës “Journal of Business Research” botuar nga Elsevier, si dhe Drejtuese e njësisë së kërkimeve të Marketingut në Institutin e Edukimit dhe Kërkimit në Athinë, me një eksperiencë mbi 30 vjeçare në kërkimin shkencor në marketing përcolli njohuri të avancuara mbi rolin që kërkuesit kanë në mjedisin universitar, për rolin e botës akademike në tërësi dhe kontributin e saj në zhvillimin e shoqërisë në tërësi.

Në ditën e parë të trajnimit, më 7 Janar 2023, ora 10:00-15:00 Prof. Cleopatra Veloutsou, një nga kërkueset dhe botueset më të njohura në fushën e marketingut, trajtoi proçesin, mekanizmat dhe udhëzimet që duhen ndjekur mbi konceptimin dhe publikimin e punës kërkimore shkencore në revistat prestigjoze ndërkombëtare duke ndarë shembuj të botimeve shkencore nga universitetet në krye të rankimeve europiane dhe botërore.

Në ditën e dytë të trajnimit, më 8 Janar 2023, ora 10:00-15:00 u trajtua zbulimi i hapësirës së kërkimit, evidentimi i problemit dhe pyetjeve kërkimore si një etapë tepër e rëndësishme në shkrimin e një punimi shkencor dhe disertacioni, veçanërisht me interes për doktorantët në proçes dhe kërkuesit e rinj.

Trajnimi mbi kërkimin shkencor dhe publikimin në revistat prestigjoze ndërkombëtare krijoi një mjedis mbështetës, nxitës dhe të përgjegjshëm për potencialin kërkimor ekzistues të departamentit Marketing -Turizëm.

Foto nga aktiviteti

Bashkëngjitur gjeni: Intervista e Prof. Cleopatra Veloutsou dhënë për televizionin SCAN

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.