Departamenti Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar, FEUT, në kuadër të projektit të bashkëpunimit disavjeçar me Universitetin e Linnaeusit, Suedi ka konfirmuar mundësinë e zhvillimit të një mobiliteti një mujor në kuadër të studimeve të doktoraturës për 11 (njëmbëdhjetë) studentët e doktoraturës të cilët janë staf akademik pranë departamentit. Mobiliteti do të zhvillohet në muajt prill dhe maj 2023, me një mbështetje shumë të mirë financiare për secilin nga studentët e doktoraturës.
Fokusi i këtij mobiliteti është shpërndarja e njohurive për zhvillimin e punës shkencore të secilit doktorant, realizimi i punimeve shkencore të përbashkëta, zgjerimi i rrjetit të njohjeve dhe kontakteve akademike, përforcimi i marëdhënies bilaterale midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Linnaeus.
Gjithashtu, në kuadër të këtij bashëpunimi, Universiteti i Linnaeus në bashkëpunim me Universitetin e Lundit (Suedi) kanë ofruar kurse të profilizuara në metodologjitë dhe teorinë e kërkimit shkecor për të gjithë studentët e doktoraturës së SIZ. Kursi i parë, Shkenca e Dizenjimit të Kërkimit Shkencor, i cili është në format hibrid, ka filluar në datë 23 Janar 2023 dhe përfundon në datë 16 Maj 2023 dhe në këtë kurs janë regjistruar tre nga doktorantët e SIZ. Në vijim janë ofruar edhe kurse të tjera të cilat mund të ndiqen pa pagesë nga studentët e doktoraturës së departamentit Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar, FEUT.
Ky bashkëpunim ka ofruar dhe ofron mundësi mobiliteti për studentët e studimeve Bachelor dhe Master të departamentit SIZ si dhe të stafit të këtij të fundit. Rezultatet e shkëlqyera të këtij bashkëpunimi ndër vite, vlerësimet dhe feedback-u pozitiv nga ana e Universitetit të Linnaeus, dhe veçanërisht mbështetja e Profesoreshë Anita Mirijamddoter dhe pasuesit të saj Dr. Fisnik Dalipi, kundrejt studentëve dhe stafit të Departamenti Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar, FEUT, ka mundësuar kohëzgjatjen e këtij bashkëpunimi dhe vazhdimin e tij në vijim.