Në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, në datat 18-20 Janar u organizua aktiviteti i radhës në kuadër të projektit ConnectIT 2.0, mundësuar nga GIZ Albania nëpërmjet programit ProSEED, në bashkëpunim me Universitetin Polis, Universitetin e Tiranës, Universitetin e Durrësit, AlbaniaTech dhe Preneurz.Amsterdam.
Gjatë këtyre ditëve, studentët e degëve “Informatikë Ekonomike”, MSHSIE dhe MPSIE u trajnuan në lidhje me strategjitë e përfshirjes dhe komunikimit me klientin për zgjidhjen softuerike, planifikimin dhe menaxhimin e sfidës, si dhe arritjen e pikave kyçe të projektit dhe finalizimit të produkteve.
Aktivitetin e përshëndetën Përgjegjësja e Departamentit Nevila Baci dhe zv. Dekani Fatmir Memaj, të cilët nxorrën në pah rëndësinë e përfshirjes dhe rolit aktiv të studentit në projekte. Në këtë aspekt, ConnectIT përbën një risi për nga natyra e tij. Gjithashtu, ata nxitën studentët të marrin pjesë sa më shumë në thirrje të tilla kombëtare dhe ndërkombëtare, si Erasmus+, etj.
Të pranishëm në aktivitet ishin ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve partnere të projektit si; Elona Karafili (zv. Rektore e Polis University), Ynte Bakhuizien (International Expert/Trainer), Sebastian Berwanger (Project Manager, Eu4Innovation), Valbona Koçi (Advisor, Eu4Innovation), Christoph Boenig (Private Sector Development/ProSEED), Elona Xhaferri (Horizon Europe, Eu4Innovation), të cilët ndoqën zhvillimin 3-ditor të aktivitetit dhe konfirmuan vullnetin e tyre për bashkëpunime në të ardhmen mes institucioneve tona.
Në përfundim të kësaj faze të ConnectIT 2.0 pritet të finalizohen sfidat e realizuara nga grupet e studentëve, ku do të përzgjidhen ato që patën më tepër impakt tek bizneset përkatëse, si dhe realizuan sistemet e kërkuara funksionale dhe të sigurta, me mbështetjen e pedagogëve të IT.
Në vijim janë disa foto nga aktiviteti i ConnectIT 2.0 me studentë dhe pedagogë nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, Universiteti Polis dhe nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës.