Ditën e Premte, datë 17. 03. 2023, në Fakultetin e Ekonomisë u zhvillua një takim për të rritur bashkëpunimin midis Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës.
Qëllimi kryesor i takimit ishte mbështetja që Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës kërkoi për të hapur një program studimi Master në fushën e Statistikave Zyrtare, bazuar në eksperiencën e Masterit të Shkencave në Statistika Zyrtare, që prej disa vitesh funksionon në FEUT.
Nga Fakulteti i Ekonomisë në takim morën pjesë Dekani Prof. Dhori Kule, përgjegjësja e Departamentit të SIZ Prof. Nevila Baci dhe profesorët e Statistikës Areti Stringa, Fatmir Memaj dhe Besa Shahini, ndërsa nga INSTAT të pranishëm ishin Dr. Elsa Dhuli, drejtoreshë e INSTAT, Prof. Kozeta Sevrani, Kryetare e Këshillit, si dhe drejtues të tjerë.
Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës përfaqësohej nga Dekani Prof. Driton Balaj, zv. Dekani Prof. Asoc. Alban Elshani dhe pedagogia e statistikës Prof. Rahme Mustafa Topxhiu, ndërsa Agjensia e Statistikave të Kosovës përfaqësohej nga z. Ibrahim Rustemi, Drejtor departamenti dhe znj. Teuta Zyberi. Gjithashtu në takim mori pjesë edhe znj. Green Gillian, përfaqësuese e projektit EU SIDA në Kosovë.
Të dy dekanët dhe drejtoresha e INSTAT bënë një prezantim të punës në fakultetet përkatëse, të bashkëpunimit të deritanishëm midis fakulteteve dhe institucioneve të statistikës dhe të nevojës për rritjen e nivelit të këtij bashkëpunimi.
Në vijim të takimit u diskutuan teknikalitetet e mbështetjes që Fakulteti i Ekonomisë në Prishtinë kërkoi jo vetëm për hapjen e programit të Masterit të Shkencave në Statistikat Zyrtare, por gjithashtu edhe për përmirësimin e kurrikulave të studimit në nivelin Bachelor duke zgjeruar peshën e lëndëve të statistikës në këto kurrikula.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës kërkoi që pedagogët e statistikës në Fakultetin e Ekonomisë, UT të bashkëpunojnë duke u bërë profesor vizitor në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës, si për të mbështetur hapjen e programit Master në Statistika Zyrtare dhe për të zgjeruar mësimdhënien e statistikës në nivelin Bachelor. Kjo kërkesë gjeti gatishmërinë e plotë të Dekanit Prof. Dhori Kule dhe të profesorëve të statistikës të FEUT.
Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për mbëshetjen e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës përmes pranimit të asistentëve të tyre për t’u regjistruar në progamin e doktoraturës në Statistikë në Fakultetin e Ekonomisë, UT, si dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të dy fakulteteve me INSTAT dhe Agjensinë e Statistikave në Kosovë.