Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës që nga viti akademik 2012-2013 ka filluar një bashkëpunim shumë vjeçar me Universitetin Linnaeus, Suedi. Bashkëpunimi i sukseshëm midis dy institucioneve tona është zhvilluar nëpërmjet projekteve bilaterale, pjesëmarrjes në konfereca të ndryshme si dhe përmirësimin e kurrikulave në nivele të ndryshme të studimit. Si rezultat i këtij bashkëpunimi përfitues janë studentët dhe pedagogët e Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar (SIZ).
Ditën e Hënë, datë 24.04.2023, grupi i pedagogëve të Universitetit të Linnaeusit, të drejtuar nga Prof. Dr. Anita Mirjamdotter vizituan departamentin SIZ dhe patën një takim me stafin e këtij departamenti, gjatë së cilit u diskutua mbi mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit midis Departamentit të Informatikës së LNU dhe Departamentit SIZ – FEUT. Më tej, pedagogët suedezë morën pjesë në një takim informues me studentë të nivelit master, të cilët u njohën mbi kurrikulat e lëndëve që ofrohen në Departamentin e Informatikës në Universitetin Linnaeus, mundësitë e aplikimit për studime në nivel master dhe doktoraturë pranë këtij universiteti si dhe ndanë historitë e susksesit të studentëve tanë shqiptarë që kanë qenë pjesë e këtij bashkëpunimi. Një nga risitë e bashkëpunimit të viteve të fundit është shtimi i mobilitetit për studentët e degës së Informatikës Ekonomike, duke iu dhënë mundësia këtyre të fundit të ndjekin studimet për një semestër apo për një vit akademik në LNU. Falë seriozitetit dhe aftësive akademike të treguar nga ana e studentëve tanë, bashkëpunimi u zgjerua me ofrimin e mobilitetetit për profesoratin e departamentit si dhe për studentët e doktoraturës, pjesë e stafit të Departamentit SIZ.
Kështu në axhendën e vizitës së profesoratit suedez ishte caktuar një takim i posaçëm me studentët doktorantë që janë pjesë e projektit të mobilitetit. Janë 15 pedagogë të departamentit SIZ-FEUT që do të përfitojnë nga ky mobilitet, nëpërmjet të cilit synohet njohja dhe përafrimi me mënyrën e realizimit të studimeve të doktoraturës në LNU, vendosja e kontakteve me pedagogët suedeze ekspertë të fushave respektive, diskutimi mbi tematikat e zgjedhura dhe metodat e metodologjitë e kërkimit shkencor bazuar në eksperiencën dhe ekspertizën e tyre, ofrimi i literaturës në ndihmë të studentëve shqiptarë, mundësinë e pjesëmarrjes në konferencat e organizuara prej tyre si dhe mundësinë e botimeve në bashkëpunim me profesoratin e LNU. Për këtë qëllim, në mjediset e FEUT u zhvillua një workshop, ku pjesëmarrës ishin grupi i pedagogëve të Universitetit Linnaeus, profesorati i departamentit SIZ si dhe studentët e doktoraturës staf i departamentit SIZ. Në këtë workshop u prezantuan rezultatet e mobilitetit të grupit të parë të studentëve të doktoraturës së SIZ si dhe u vlerësuan propozimet e bëra nga pedagogët e DSIZ-FEUT mbi mundësitë e bashkëpunimit në vitet e ardhshme në fushën e studimeve doktorale midis tyre dhe stafit të Departamentit të Informatikës në Linnaeus University.
Ditën e Martë, datë 25.04.2023, përfaqësuesit e Linnaeus University zhvilluan takime pune në qytetin e Korçës, të shoqëruar nga studentët e doktoraturës që do të jenë pjesë e mobilitetit në muajin Maj 2023. Qëllimi i kësaj vizite ishte edhe njohja e kulturës, traditës, kulinarisë dhe turizmit që ky qytet ofron.
Ditën e Mërkurë, datë 26.04.2023, në Fakultetin e Ekonomisë u zhvillua një takim midis përfaqësuesve të Universitetit Linnaeus, Suedi, Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë si dhe profesorëve të Departamentit SIZ. Qëllimi kryesor i takimit ishte përmbyllja e projektit të bashkëpunimit disavjeçar, identifikimi i rezultateve të këtij bashkëpunimi si dhe shqyrtimi i mundësive të bashkëpunimeve të ardhshme në kuadër të projekteve, programeve të studimit, kërkimit si dhe artikujve shkencorë të përbashkët. Duke njohur dhe vlerësuar ndihmesën e madhe që ka dhënë Departamenti i Informatikës të Universitetit Linneaeus, Suedi, suksesin e bashkëpunimit mbi një dekadë me Departamentin SIZ-FEUT e në mënyrë të veçantë, kontributin e çmuar të Prof. Dr. Anita Mirjamdotter në bashkëpunimin disavjeçar me FEUT, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe ish-Rektor i UT, Prof. Dr. Dhori Kule i dorëzoi asaj certifikatën e mirënjohjes.
Prof. Dr. Anita Mirjamdotter ka drejtuar për shumë vite Departamentin e Informatikës në LNU dhe është një nga iniciueset e bashkëpunimit me FEUT. Nuk ka student dhe pedagog shqiptarë, vizitor apo studiues në LNU që të mos ketë ndjerë dashurinë dhe ngrohtësinë e mikpritjes së saj. Ajo ka qenë dhe mbetet një mbështetëse shumë e zjarrtë e afrimit të stafit nga vendet shqipfolëse, përfshirë dhe staf nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Falë dashurisë që ka për Shqipërinë, ajo ka bërë të gjitha përpjekjet që projektet e bashkëpunimit jo vetëm të zgjerohen, por të krijojë hapësira për mundësi të reja shumë frytdhënëse. Fryt i seriozitetit dhe përkushtimit të partneritetit është dhe mundësia e mësimdhënies në Suedi që i është dhënë stafit shqiptar të DSIZ me studentët e masterit të Sistemeve të Informacionit të LNU.
Prof. Dr. Dhori Kule falenderoi të gjitha strukturat e Universitetit Linnaeus për bashkëpunimin e shkëlqyer me Universitetin e Tiranës që nga koha kur ai drejtonte si Rektor Universitetin e Tiranës si dhe Departamentin e Informatikës të LNU e në mënyrë të veçantë Prof. Dr. Anita Mirjamdotter dhe gjithë ekipin e saj për gjithçka që kanë bërë e do të vazhdojnë të bëjnë, duke siguruar që tashmë janë vendosur baza të shëndetshme për bashkëpunimet e mëtejshme. Në vazhdim të axhendës, profesorati i ardhur nga Linnaeus University zhvilloi një vizitë dhe takime pune në qytetin e Beratit, të shoqëruar nga profesorë të departamentit SIZ. Vizita në qytetin e bukur të Beratit pati një surprizë të bukur, nga pritja e veçantë e Kryetarit të kësaj bashkie, z. Ervin Demo, i cili jo vetëm vlerësoi aktivitetin dhe ndihmesën e dhënë nga Universiteti Linnaeus për Fakultetin e Ekonomisë, që në kohën që z. Demo ishte zv. Rektor i UT, por dhe bëri propozime mjaft interesante për një bashkëpunim edhe me bashkinë që ai drejton. Vizita në këtë qytet hapi një dritare të re në qytetin e një mbi një dritareve për bashkëpunim dhe përfshirje në projekte të ardhshme.