Në datën 27 Prill 2023 në Fakultetin e Ekonomisë u zhvillua leksioni i hapur me temë “Metodat kërkimore për menaxhimin fitimprurës të burimeve”. Ky event prezantoi në mënyrë të detajuar metodat fitimprurëse dhe sociale të bazuara në analizën e të dhënave kontabël në menaxhimin eficient të burimeve. Këto metoda aplikohen gjerësisht në universitete, sipërmarrje, institucione dhe zona industriale të orientuara drejt ekonomisë së gjelbër dhe asaj qarkulluese. Prezantimi i metodologjisë PREMA u realizua nga Dr. Edith Kuerzinger, hartuese e këtyre metodave që aplikohen në më shumë se 60 vende të botës.
Kjo metodologji bazohet në identifikimin, vlerësimin dhe eleminimin e Mbetjeve të Krijuara gjatë Prodhimit (Non-Product Output). Pjesëmarrësit u njohën me qasjen për identifikimin dhe përcaktimin e sasisë së mbetjeve të gjeneruara gjatë prodhimit të cilat përfshijnë të gjitha lëndët e para, energjinë dhe ujin që përdoren në procesin e prodhimit ose shërbimit, por që nuk janë pjesë e produktit apo shërbimit përfundimtar.
Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me aplikimin e ciklit të ndryshimit, i cili mundëson nëpërmjet analizës së të dhënave kontabël, katër përfitimet që rrjedhin nga aplikimi i metodologjisë duke përfshirë ato mjedisore, organizative, ekonomike dhe sociale.
Në përfundim të aktivitetit, studentët e Shkollës së Doktoraturës dhe Masterit Shkencor në Fakultetin e Ekonomisë, ndërvepruan me pyetje dhe diskutime për aplikimin e kësaj metode për një kërkim shkencor empirik dhe inovativ.
Bashkëngjitur gjeni fotot nga aktiviteti i realizuar në Fakultetin e Ekonomisë