muzhaqi_ne_feut.JPG

Ditën e Hënë, datë 05 Qershor 2023, në Fakultetin e Ekonomisë, UT u zhvillua një takim ndërmjet përfaqësuesve të Fakultetit të Ekonomisë, Ministres së Rinisë dhe Fëmijëve, përfaqësuesve nga AKSHI, pedagogëve dhe studentëve të cikleve të studimeve Bachelor dhe Master të FEUT, ku në fokus të diskutimeve ishin mundësitë e praktikave dhe të punësimeve të studentëve.

Znj. Bora Muzhaqi, Ministre e Shteti për Rininë dhe Fëmijët dhe znj. Blerina Hoxha, si përfaqësuese e AKSHI-t, u pritën në takim nga zv. Dekanët Prof. Asoc. Dr. Etleva Bajrami dhe Dr. Martin Serreqi.

Zv. Dekanët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve në procesin e praktikave studentore dhe mundësive të punësimit për studentët që janë drejt përfundimit të studimeve dhe ata që janë diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë si dhe nevojën e rakordimit të periudhës së përfundimit të studimeve me periudhën e aplikimit në program.

Ministrja Muzhaqi, teksa prezantoi Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, u shpreh se ky program është gjithëpërfshirës dhe se mund të aplikojnë të gjithë studentët që janë diplomuar, të paktën në një cikël studimi. Ministrja shtoi se praktika e punës në institucione njihet si eksperiencë pune nga Departamenti i Administratës Publike dhe praktikantët do të pajisen me certifikatë.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës përfshin mbi 1600 vende praktike pune, ku 17 janë instituticione të Administratës Shtetërore; 94 janë Institucione varësie; 25 janë shoqëri tregtare dhe shoqata; 16 janë institucionet publike të pavarura, 51 janë njësi të vetëqeverisjes vendore dhe 19 janë organizata jofitimprurëse.

Në vijimësi të takimit, u prezantua nga përfaqësuesja e AKSHI projekti TOM, me impakt social, për t'i ardhur në ndihmë pjesës më vullnerabël të shoqërisë, që përfshin personat me aftësi të kufizuar, familjet në nevojë apo edhe fëmijë me nevoja të veçanta.

Në takim u dhanë të gjithë informacionet e nevojshme dhe të detajuara si për programin e Praktikave të Punës ashtu edhe të projektit TOM të AKSHI. Ndërsa për detaje të mëtejshme mbi mënyrën e aplikimit studentëve i'u bë me dije që mund t'i drejtohen Zyrës së Karrierës për asistencë.

Linku ku mund të aplikoni në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës: https://praktika.riniafemijet.gov.al/
Linku i projektit TOM: https://techspace.al/tom/

Bashkëngjitur gjeni foto nga takimi

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.