Më datë 15/11/2023 në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së bursave për studentët më të mirë të Masterit Shkencor Manaxhim Turizëm. Të pranishëm në aktivitet ishin Zv. Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti, CEO e “Balfin Group” Znj. Edlira Muka dhe CEO i “Green Coast” Z. Armando Alicenaj, Drejtor i “Fondacionit Mane” Erion Ndreçka, zv. Dekanët Prof. Asoc. Dr. Etleva Bajrami dhe Dr. Martin Serreqi, përgjegjësi i Departamentit të Marketingut Prof. Asoc. Dr. Mirdaim Axhami dhe përgjegjëse e Departamentit te Menaxhimit Prof. Asoc. Dr. Etleva Leskaj, si dhe pedagogë dhe studentë nga Fakulteti i Ekonomisë.
Studentët e ekselencës të cilët i përfituan këto bursa ishin Martha Klimi, Franko Kreka dhe Mirjan Aliaj.
Në fjalën e tij Zv. Rektori Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti u shpreh se marrëveshja midis Fakultetit të Ekonomisë, UT dhe “Balfin Group” ka rezultuar e suksesshme në mbështetje të studentëve dhe të infrastrukturës, me një laborator të përfunduar në funksion të veprimtarive akademike. Ai gjithashtu shprehu besimin e plotë që ky bashkëpunim i suksesshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen në mbështetje të studentëve dhe në përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës kërkimore ku tashmë është përfunduar projekti për një laborator tjetër dhe priten që së shpejti të fillojnë punimet. Ndër të tjera ai theksoi se turizmi është një nga sektorët më prioritar në zhvillimin e vendit, i cili duhet të jetë ndër drejtimet kryesore të zhvillimit të praktikave dhe projekteve të studentëve të marketingut.
Në vazhdim Znj. Edlira Muka vuri në dukje rëndësinë e marrëveshjeve të tilla të cilat shërbejnë si një “urë” bashkëpunimi ku kombinohen njohuritë akademike me eksperiencat praktike të cilat “Balfin Group” i ofron edhe përmes laboratorëve apo start up-eve që mbështet. Mbështetja do të vijojë nëpërmjet projekteve të ndryshme në fushën e turizmit. “Balfin Group” ka momentalisht projekte në fushën e turizmit, në të cilat po investohet.
Tre bursat që iu dhanë studenteve fitues në këtë takim janë shembulli konkret që “Balfin Group” përkrahë studentët dhe programet që mbështesin sektorët prioritar turizmin, pasi turizmi është pjesë e strategjisë së zhvillimit kombëtar”- u shpreh Znj. Muka.