Në kuadër të fushatës së edukimit financiar të brezit të ri, përfaqësues të ASD-së zhvilluan një leksion të hapur me studentë të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, me temën “Skema e sigurimit të depozitave në Shqipëri, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, roli dhe funksionet e saj”. 
 Përfaqësuesit e agjencisë theksuan që ASD si një nga institucionet e rrjetit të sigurisë financiare në vend, i kushton një vëmendje të madhe informimit dhe edukimit të këtij target grupi, jo vetëm për transmetimin e njohurive bazë por edhe më tej, për të kuptuar si funksionon skema e sigurimit të depozitave dhe ndikimi i saj në tregun bankar dhe në stabilitetin financiar në vend.
 Studentët u njohën me skemën sigurimit të depozitave në Shqipëri, përfitimet dhe kufizimet e saj, rolin dhe funksionet e ASD-së si i vetmi institucion që siguron depozitat dhe kompenson depozituesit e subjekteve anëtare të skemës (bankave/shkk-ve) në rast likuidimi të detyruar. 
 Pjesëmarrja proaktive e studentëve gjatë leksioneve, si dhe niveli i interesit të shfaqur nëpërmjet pyetjeve dhe komenteve gjatë prezantimeve ishte në një shkallë të lartë.
 
Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.