1.jpeg

Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë fillon zbatimin e projektit: “Sustainable Living Labs for Regional Entrepreneurial Cooperation (GreenWB).. Në daten 10 Janar 2024 u organizua takimi i fillimit të projektit GreenWB. Në të morën pjesë partnerët e projektit nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës, pedagogë, staf kërkues dhe zbatues të projektit. Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të zv. Rektorit të Universitetit të Tiranës Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti, fjalës së zv. Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë Prof.Dr. Fatmir Memaj dhe fjalës së zv. Dekanes dhe njëkohësisht koordinatores së projektit Prof. Asoc. Dr. Etleva Bajrami. Në fjalën e tyre u theksua rëndësia e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik për të mbështetur inovacionin e gjelbër si dhe nevojën që universitetet të jenë pjesë aktive e zhvillimit të biznesit si dhe të rrisin aftësitë sipërmarrëse të studentëve në arsimin e lartë. Projekti synon të mbështesë edukimin e të rinjve në institucionet e arsimit të lartë që janë pjesë e projektit, duke i pajisur me njohuritë e nevojshme për tregun e punës në një shoqëri neutrale ndaj klimës. Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian, në kuadrin e programit Erasmus+. Projekti zbatohet në përputhje me objektivat e BE-së dhe të Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor  2050  për një të ardhme të neutralitetit klimatik dhe qëndrueshmërisë mjedisore.

Projekti, i cili do të drejtohet nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, do të zbatohet në partneritet me universitete të Ballkanit Perëndimor, universitete në vendet e zhvilluara të BE si dhe në bashkëpunim me partnerë jo akademik.

Partnerë akademik në projekt janë:

  • Universiteti i Tiranës
  • Universiteti Epoka
  • Universiteti Europian i Tiranës
  • Universiteti Haxhi Zeka, Pejë
  • Universiteti Kadri Zeka, Gjilan
  • Universiteti FH Joanneum Gesellschaft mbH, Graz, Austri
  • Universiteti Vassa, Finlandë
  • Universiteti SS.Cyril and Methodius, Maqedoni e Veriut

Partnerët jo-akademikë në Shqipëri dhe Kosovë janë:

  • Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës
  • Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë

Objektivi kryesor i projektit është të mbështesë inovacionin e gjelbër dhe aftësitë sipërmarrëse të studentëve në arsimin e lartë, duke zhvilluar kapacitetet sipërmarrëse dhe inovative të Universiteteve përmes ‘Living Labs’, si dhe duke rritur bashkëpunimin e tyre me bizneset, duke u dhënë atyre rolin qendror në ekosistemin rajonal të inovacionit.

Projekti do të ndihmojë për të analizuar dhe kuptuar transferimin e njohurive, inovacionin dhe infrastrukturën e sipërmarrjes së gjelbër si dhe aktivitetet në pesë universitetet e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të realizohet nëpërmjet ngritjes së  5 Laboratorëve (Living Labs) të cilat do të shërbejnë si një urë bashkëpunimi i universiteteve me bizneset si dhe një  mbështetje për studentët dhe stafin akademik për gjenerimin e ideve sipërmarrëse të gjelbra.

Projekti do të fokusohet edhe në ngritjen e kapaciteteve përmes trajnimeve praktike të orientuara drejt sipërmarrjeve të gjelbëra të studentëve. Gjithashtu, stafi i Universiteteve partnere të Ballkanit perëndimor dhe anëtarët e Dhomave të Tregtisë do të ketë mundësinë të ndjekin trajnime në Universitetet e BE për sipërmarrjen e gjelbër, duke i nxituar ata të implementojnë këto praktika inovative edhe në programet mësimore.

Bashkëpunimi me sektorin privat dhe veçanërisht me biznesin e vogël dhe të mesëm është një tjetër objektiv i rëndësishëm i projektit, si një mënyrë për të promovuar inovacionin dhe sipërmarrjen. Disa objektiva të tjera që synohen të arrihen janë rritja e ndjenjës së iniciativës dhe sipërmarrjes së studentëve,  përafrimi i botës akademike me tregun e punës duke rritur punësimin e studentëve si dhe rritja e nivelit të kompetencës digjiitale për studentët dhe stafin.

Projekti ka filluar në Nëntor të 2023 dhe do të zbatohet për një periudhë 3 vjeçare.

Materiali Anglisht

Foto nga Aktiviteti

 

logo_eu.png

Funded by the European Union. Views and opinions expressed are however those of the author(s) only and do not necessarily reflect those of the European Union or EACEA. Neither the European Union nor the granting authority can be held responsible for them.”

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.