Ditën e Hënë, 8 Prill 2024, në Fakultetin e Ekonomisë është zhvilluar aktiviteti i trajnimit të parë të programit “Debating Economics” nga Junior Achievement of Albania në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë, me fokus në zhvillimin e njohurive dhe aftësive të studentëve në fushën e debatit. Trajnimi është realizuar nga Prof. Asoc. Dr. Ogerta Stroka, Zv. Dekane për Marrëdhëniet me Studentët, Publikun dhe Këshillimin e Karrierës pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, me temën “Formulimi i Argumentit dhe Komunikimi”.
Programi "Debating Economics" është një iniciativë e Junior Achievement of Albania, e cila në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë, ofron një platformë për studentët për të zhvilluar aftësitë e tyre në debat dhe argumentim, duke u fokusuar veçanërisht në temat dhe konceptet ekonomike.
Trajnimet do të vazhdojnë dhe në dy seanca të tjera, të cilat janë një pjesë kyçe e këtij programi, ku studentët marrin njohuri dhe trajnime në elementët kryesorë të komunikimit, shkrimit akademik dhe strukturimit të argumentimit bindës. Këto aftësi janë thelbësore për të qenë një debatues i suksesshëm dhe për të shprehur mendimet e tyre në një mënyrë të argumentuar dhe bindëse.
Studentët pjesëmarrës do të jenë pjesë e Debatit Kombëtar të Universiteteve, ku të gjithë Universitetet shqiptare janë përballë njëra tjetrës. Ky konkurs krijon një platformë për studentët tanë për të shfaqur aftësitë e tyre përpara publikut të gjerë dhe për të përfaqësuar në mënyrën më të mirë Fakultetin e Ekonomisë.