9.jpg

Ditën e Martë, më 23 Prill 2024, u organizua Panairi i Punës në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, i cili vazhdon të mbetet një traditë shumëvjeçare e suksesshme. Panairi është kthyer në një platformë shumë e mirë ndërlidhjeje për studentët me mundësitë e punësimit dhe zhvillimit të karrierës, të ofruara nga mbi 60 kompani të mëdha të pranishme, përfshirë sektorët kryesorë të ekonomisë si konsulenca, bankat, sigurimet, prodhimi, teknologjia, telekomunikacioni, etj.,

Ceremonia e hapjes u organizua në ambjentet e Fakultetit të Ekonomisë me pjesëmarrjen e Prof. Dr. Artan Hoxha, Rektor i Universitetit të Tiranës,  Z. Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Z. Andi Seferi, Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe përfaqësues të bizneseve me fokusin e qartë për mbështetjen e studentëve përballë sfidave të punësimit.  Në fjalën e tij hapëse, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Dhori Kule, shprehu kënaqësinë e tij për suksesin e panairit dhe vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit midis akademisë, sipërmarrjes dhe institucioneve publike për krijimin e mundësive të zhvillimit të karrierës për studentët.

Të ftuarit e nderit diskutuan mbi fokusin e nevojës për bashkëveprimin me biznesin, universitetet dhe pushtetin vendor e qendror për rritjen e kapacitetit të studentëve dhe punësimin e tyre. Gjithashtu përfaqësues të biznesit u shprehën optimistë për potencialin e studentëve të Fakultetit të Ekonomisë për të plotësuar nevojat e sipërmarrjes dhe për të sjellë inovacion në sektorët e tyre.

Panairi i Punës i Fakultetit të Ekonomisë, Universitetit të Tiranës, është një urë lidhëse për të gjithë ata që kërkojnë të ndërtojnë lidhje të reja, të zgjerojnë rrjetin e tyre profesional dhe të shfrytëzojnë mundësitë për të arritur sukses në karrierë. Kjo traditë vazhdon të jetë një shembull i bashkëpunimit dhe inovacionit në rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme ekonomike dhe profesionale, si për studentët ashtu edhe për kompanitë pjesëmarrëse.

Foto nga aktiviteti

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.