Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Konkurrencës, Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Tiranës, në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës, organizoi leksionin e hapur më datë 5 Dhjetor 2024.
Aktiviteti u mbajt në ambientet e fakultetit dhe u fokusua në rëndësinë e konkurrencës së drejtë dhe efektive për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.
Leksioni i Hapur përfshiu prezantimin e tre punimeve të rëndësishme nga ekspertët e Autoritetit të Konkurrencës:
1. "Roli i Autoritetit të Konkurrencës në sigurimin e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg“, prezantuar nga Kryetari i Autoritetit, z. Denar Biba.
2. "Analiza e konkurrencës dhe struktura e tregjeve“, prezantuar nga zj. Dhurata Skënderi, Drejtore e Drejtorisë së Analizës dhe Metodologjisë së Tregjeve.
3. "Analiza ekonomike në rastet e abuzimit me pozitën dominuese“, prezantuar nga zj. Mimoza Kodhelaj, Drejtore e Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Tregjeve Prodhuese.
Tema kyçe si rëndësia e promovimit të konkurrencës për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, proceset e monitorimit dhe zbatimit të ligjit të konkurrencës, si dhe procedurat hetimore në rastet e marrëveshjeve të ndaluara dhe abuzimit me pozitën dominuese u trajtuan përgjatë aktivitetit.
Studentët dhe pedagogët pjesëmarrës patën mundësinë të përfshihen në diskutime, duke u njohur nga afër me praktikat dhe sfidat e punës së Autoritetit të Konkurrencës. Aktiviteti, i përshëndetur nga Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, z. Bernard Dosti, tërhoqi interes të veçantë, duke krijuar një sinergji pozitive midis botës akademike dhe një prej institucioneve më të rëndësishme të mbikëqyrjes së tregjeve në Shqipëri.
Falënderojmë Autoritetin e Konkurrencës dhe të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe kontributin e tyre!