Më 13-14 dhjetor 2024, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, organizoi Konferencën Ndërkombëtare me temë: “International Conference on Economy, Business, Innovation and Technology: Transforming Economy and Business through Innovation and Digital Solutions - ICEBIT 2024”.
Në seancën prezantuese të konferencës, e cila u drejtua nga Prof. Dr. Kozeta Sevrani, përshëndetën me fjalën e tyre, Prof. Dr. Dhori Kule, Znj. Delina Ibrahimaj, Ministër i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Z.Ervin Demo, kryetar i Bashkisë Berat, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha , Dekani i Fakultetit të Ekonomisë Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti, profesorë nga universitete ndërkombëtare dhe përfaqësues nga BALFIN Group, Eurosig, dhe Banka Kombëtare Tregtare.
Konferenca mblodhi së bashku akademikë, kërkues dhe profesionistë nga fusha të ndryshme, duke ofruar një platformë ndërdisiplinore për të diskutuar ndikimin e inovacionit dhe teknologjive digjitale në transformimin e ekonomisë dhe biznesit. Me një fokus të veçantë mbi inteligjencën artificiale, kjo konferencë trajtoi sfidat aktuale, sugjeroi zgjidhje konkrete dhe promovoi bashkëpunimin mes palëve të interesuara.
Diskutimet u përqendruan në temat kryesore të inovacionit dhe zhvillimeve teknologjike, duke përfshirë mundësitë që ato ofrojnë dhe mënyrat për të përballuar sfidat në një ekonomi në transformim të vazhdueshëm.
Falë pjesëmarrjes aktive dhe shkëmbimit të ideve mes ekspertëve dhe profesionistëve të pranishëm, konferenca shënoi një hap të rëndësishëm drejt promovimit të qasjeve inovative në zhvillimin ekonomik dhe praktikave të biznesit.
Fakulteti i Ekonomisë falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuesit për suksesin e këtij aktiviteti dhe mbetet i angazhuar në organizimin e aktiviteteve të tjera që promovojnë kërkimin shkencor dhe inovacionin.