Në kuadër të Javës Globale të Parasë 2025 dhe 100 vjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë, me iniciativën e Bankës Botërore dhe në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, u organizua debati studentor “Albania should go cashless”. Zhvillimi i debatit u bazua në formatin Karl Popper, duke krijuar një atmosferë dinamike diskutimi mbi tema kyçe për rolin e edukimit financiar dhe të ardhmen e ekonomisë digjitale në Shqipëri.
Dy ekipet studentore, të pozicionuar “Pro” dhe “Kundër” debatuan duke argumentuar nëse ekonomia Shqiptare ndodhet në stadin e duhur për të shkuar drejt një ekonomie pa para fizike. Ata nxorrën në pah: Përfitimet e pagesave digjitale – kosto më të ulëta, komoditet, efikasitet dhe transparencë në menaxhimin e financave personale; Sfidat e digjitalizimit – rreziqet kibernetike, kompleksiteti i sistemeve dhe mungesa e njohurive financiare dhe digjitale, të cilat mund të ndikojnë në adoptimin masiv të pagesave digjitale.
Studentët e Fakultetit të Ekonomisë treguan aftësi të shkëlqyera analitike dhe argumentuese, duke sjellë perspektiva të ndryshme mbi përfitimet dhe sfidat e një ekonomie pa para fizike. Ata theksuan rëndësinë e edukimin financiar, inovacionit dhe nevojën për një qasje të integruar që përfshin kornizën rregullatore.
Ky aktivitet u përshëndet nga:
Z. Bernard Dosti, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës;
Znj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë;
Znj. Angella Faith Montfaucon, Ekonomiste e Lartë eBankës Botërore.
Përfaqësuesit institucionalë vlerësuan përgatitjen dhe argumentet e studentëve, duke nënvizuar rëndësinë e edukimit financiar për një menaxhim të mirëfilltë të financave personale në një epokë gjithnjë e më të digjitalizuar.
Juria, e përbërë nga Znj. Luljeta Minxhozi- Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë, Znj. Etleva Bajrami- Zv. Dekane e FEUT për Anën Mësimore, Aktivitetet Studentore dhe Komunikimin, Znj. Angella Faith Montfaucon- Ekonomiste e Lartë e Bankës Botërore dhe Z. Ravik Mima, Drejtor Ekzekutiv i Keiretsu Forum Southeast Europe, vlerësoi argumentet dhe strukturën e debatit. Anëtarët e jurisë vlerësuan përgatitjen dhe aftësitë analitike të studentëve, duke nxitur reflektimin mbi sfidat dhe mundësitë e një ekonomie pa para fizike në Shqipëri.
Më shumë se 120 studentë të programeve të nivelit Bachelor në FEUT, ndoqën me kërshëri dhe duartrokitën debatin shumë interesant, duke forcuar njohuritë e tyre mbi pagesat digjitale, përfshirjen financiare dhe menaxhimin e financave personale në një ekonomi moderne!