Tiranë, 20 Mars 2025 – Në mjediset e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës u organizua workshopi me një fokus shumë të rëndësishëm për sistemin arsimor dhe botën e biznesit: Bashkëpunimi ndërmjet Biznesit dhe Akademisë për një të Ardhme të Qëndrueshme. Në këtë aktivitet u bënë bashkë aktorë kyç nga akademia, sektori i biznesit, institucionet publike dhe organizatat e shoqërisë civile, duke nxitur diskutime mbi inovacionin, qëndrueshmërinë dhe rolin e bashkëpunimit midis akademisë dhe biznesit për të adresuar sfidat klimatike dhe të ekonomisë së qëndrueshme.
Fjalimi hapës në workshop u mbajt nga Prof. Asoc. Dr. Fatma Jaupi, Zv. Dekane për Sigurimin e Cilësisë, Kërkimin Shkencor dhe Marrëdhëniet me Jashtë në Fakultetin e Ekonomisë, e cila nënvizoi rolin thelbësor të bashkëpunimit midis Fakultetit të Ekonomisë, Universitetit të Tiranës dhe sektorit të biznesit në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt në kushtet e rritjes të sfidave nga ndryshimet klimatike. Në këtë fjalim u theksua se universitetet duhet të angazhohen në bashkëpunimin me industritë, që së bashku të ofrojnë zgjidhje inovative që adresojnë sfidat e botës reale. Forcimi i partneriteteve të tilla është thelbësor jo vetëm për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për ndërtimin e një shoqërie të përgatitur për transformimet teknologjike dhe mjedisore.
Në vijim, Znj. Aris Tasho, përfaqësuese e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës (CCIT), theksoi se bizneset shqiptare po përballen me sfida të reja që lidhen me tranzicionin e gjelbër dhe inovacionin teknologjik. Gjatë fjalës së mbajtur, theksi u vu në rëndësinë e partneriteteve me universitetet, duke e konsideruar këtë bashkëpunim një mekanizëm të fuqishëm për të ndërtuar kapacitete të reja dhe për të krijuar produkte e shërbime inovative në tregun shqiptar.
Përfaqësuesja e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), Znj Alba Domi, në fjalën e saj solli në vëmendje se në Shqipëri ka një potencial të madh për zhvillimin e projekteve që ndërlidhin kërkimin shkencor me sektorin privat. Sipas saj, platforma e krijuar në kuadër të këtij projekti është një model që duhet të zgjerohet për të fuqizuar edhe më tej bashkëpunimin rajonal në këtë fushë.
Prezantimi i platformës 1FUTURE, si një mjet digjital inovativ rajonal, që përfshin disa vende të Ballkanit Perëndimor, si Mali i Zi, Bosnja dhe Shqipëria, e krijuar për të lehtësuar bashkëpunimin midis bizneseve, universiteteve dhe politikë bërësve, ishte një nga momentet më të rëndësishme të aktivitetit. Prof. Asoc. Dr. Elona Pojani prezantoi platformën si një hapësirë ku industria dhe akademia mund të shkëmbejnë njohuri, të ndajnë kërkime dhe të bashkë-krijojnë zgjidhje të qëndrueshme. Demonstrimi i drejtpërdrejtë i platformës tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për të eksploruar potencialin e saj në nxitjen e partneriteteve të dobishme. Seanca e diskutimeve që pasoi ishte interaktive, me përfaqësues të biznesit
dhe akademikë që ndanë perspektivat e tyre mbi sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit. Përfaqësuesit e kompanive shprehën një interes për të shfrytëzuar platformën 1FUTURE për të pasur qasje në kërkime akademike, për t’u lidhur me talente të reja dhe për të zhvilluar strategji të qëndrueshme biznesi. Gjatë këtyre diskutimeve u identifikuan disa ide konkrete për bashkëpunim, duke përfshirë projekte të përbashkëta kërkimore, mundësi praktike për studentët dhe programe të specializuara trajnimi për të forcuar praktikat e qëndrueshmërisë në kompani.
Në përfundim të workshopit, pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për një dialog të vazhdueshëm dhe bashkëpunim më të gjerë. Si bizneset ashtu edhe akademikët u angazhuan të përdorin aktivisht platformën 1FUTURE si një urë lidhëse për partneritete efektive. Nga të gjithë të pranishmit, u theksua rëndësia e shkëmbimit të vazhdueshëm të njohurive, partneriteteve kërkimore-industriale dhe avokimit të përbashkët për politika më efektive në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij rrjeti bashkëpunimi të fokusuar në qëndrueshmëri dhe klimë, më shumë informacion gjeni në Platformën 1FUTURE