Të dashur kolegë,
Të dashur studentë,
Të dashur miq të Fakultetit të Ekonomisë.
Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se sot në datë 26 Prill 2025, u nda nga jeta ne mënyrë të papritur Profesor. Dr. Fatmir Memaj.
Në këto çaste të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe gjithë të afërmve të tij.
Profesor Fatmiri, ishte bashkëshort, prind, vëlla dhe mik i veçantë. Me përkushtim të pashoq ndaj dijes, ai mbetet një frymëzim për të gjithë ata që kanë pasur nderin të mësojnë dhe të bashkëpunojnë me të. Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, humbi një prej njerëzve më të dashur i cili kishte lidhur jetën si student e më pas si pedagog pranë këtij fakulteti derisa vdekja e mori papritur dhe na ndau të gjithëve prej tij, por e bashkoi atë me djalin e tij të ndjerë Aleksin.
Profesor. Dr. Fatmir Memaj lindur më 11.02.1962, u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës (1985), PhD në Ekonomi (nëntor 1996). Që nga marsi 2007 ai mbante titullin Profesor në Departamentin e Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar dhe Profesor i Statistikës, Demografisë dhe Metodave e Teknikave të Kërkimit.
Prej 17 vitesh ka shërbyer si Zëvendës Dekan i Fakultetit, anëtar i Senatit Akademik dhe i Këshillit të Fakultetit. Ai ishte Drejtor Ekzekutiv i Forumit Shqiptar Social Ekonomik; Anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare për Studimet me Pyetsorë - IASS (2000), anëtar i Shoqatës së Statisticienëve të Ballkanit, (2000) dhe Anëtar i Shoqatës Evropiane të Arsimit Ndërkombëtar - EAIE, (2011). Me mbi 30 vjet eksperiencë në institucionet e arsimit të lartë ishte autor dhe bashkautor në monografi, përkthime librash, me mbi 50 artikuj dhe 100 kumtesa konferencash dhe shumë materiale të tjera kërkimore, shkencore dhe projekte kombëtare e ndërkombëtare.
Të shumtë janë ndër vite, studentët dhe kolegët që e kanë njohur nga afër dhe do ta kujtojnë gjithmonë buzëqeshjen dhe komunikimin e sinqertë dhe tepër njerëzor që Prof.Fatmiri kishte me të gjithë.
Lamtumirë i shtrenjti Fatmir!
Do mbetesh i paharruar për ne!
Në shenjë mirënjohje, nderimi dhe respekti të thellë ndaj Profesor Fatmirit, nesër në datë 27 Prill 2025, në orarin 10-12, zhvillohen homazhet në hollin e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës dhe prej aty do bëhet nisja për në varrezat e Tufinës.