Në datat 17 dhe 18 qershor 2025, në Fakultetin e Ekonomisë u zhvillua takimi i parë koordinues i projektit CreaTech. Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të koordinatores së projektit Prof. Dr. Dorina Kripa, fjalën e Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti dhe zv. Rektores së Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Anila Paparisto.
Projekti CreaTech është shpallur fitues në kuadër të thirrjes së katërt të Iniciativës EIT HEI 2024 (Instituti Europian i Inovacionit dhe Teknologjisë) me një vlerë totale të projektit prej 1.34 milion Euro. Projekti është lançuar zyrtarisht në prill 2025 dhe ka një kohëzgjatje prej 2 vitesh. CreaTech ka si qëllim nxitjen e inovacionit dhe sipërmarrjen në Industrinë kulturore dhe kreative përmes realizimit të këtyre objektivave:
- Forcimi i kapaciteteve të IAL-ve për të mbështetur inovacionin përmes trajnimit dhe mentorimit,
- Pajisja e studentëve dhe sipërmarrësve të rinj me mjetet për të nisur dhe shkallëzuar startup-e në Industrinë kulturore dhe creative,
- Nxitja e bashkëpunimit midis akademisë, biznesit dhe ekosistemeve kulturore,
- Ofrimi i mbështetjes së strukturuar përmes një platforme dixhitale dhe programeve nxitëse për startup-et.
Projekti i kushton një vëmendje të fortë krijimit të shërbimeve inovative në bashkëpunim me komunitetet lokale, duke shfrytëzuar trashëgiminë kulturore, transformimin dixhital dhe lidershipin sipërmarrës me qëllim përmirësimin e mirëqenies për zonat rurale dhe shoqërinë në përgjithësi.
Gjatë takimit, partnerët e konsorciumit paraqitën bazat operative të projektit në lidhje me trajnimin, mentorimin, përshpejtimin e startup-ve dhe krijimin e qendrave bashkëpunuese për të gjeneruar inovacion në fushat e industrisë kulturore dhe kreative
Konsorciumi i projektit përbëhet nga 5 partnerë akademikë, 4 partnerë jo-akademikë dhe 3 partnerë të asociuar.
Partnerët akademikë: Universiteti i Tiranës (koordinator i projektit), Universiteti i Bedforshire (Mbretëria e Bashkuar), Universiteti Euromesdhetar (Slloveni), Universiteti i Patras (Greqi), Kolegji AAB (Kosovë)
Partnerët jo-akademikë: Lasco (Itali), Italian National Research Council (Itali), European Creative Hubs Network (Greqi), Qendra për Edukim dhe Zhvillim (Shqipëri)
Partnerë të asociuar: Universiteti Europian i Tiranës, Materahub, UNIMED
Universiteti i Tiranës, në rolin e koordinatorit, merr pjesë për herë të parë në një projekt të financuar nga EIT duke u përfaqësuar nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës.
🔗 Për më tepër në lidhje me projektin ndiqni: EIT HEI Initiative: https://lnkd.in/dPvy7JXD