Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Shkencave Sociale hapin programin e përbashkët të studimit të ciklit të dytë Master i Shkencave në “Zhvillim Ekonomik dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare” i cili do të zhvillohet si një program ndër-disiplinor mes Departamentit të Ekonomiksit, Fakulteti i Ekonomisë dhe Departamentit të Shkencave Politike, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me Universitetin e Pavias, programi Master i Shkencave “Economic Development and International Relations” (Sviluppo Economico e Relazioni Internazionali),me kohëzgjatje dy-vjeçare, 120 kredite.

Në përfundim të këtij programi studimi lëshohet diplomë e dyfishtë me Universitetin e Pavias, për studentët që do të kryejnë mobilitet gjatë vitit të dytë të programit në Universitetin e Pavias.

Si pjesë e strategjisë për ndërkombëtarizim, Fakulteti i Ekonomisë angazhohet aktivisht në marrëveshje ndërkombëtare që kontribuojnë në zhvillimin e kapacitetit institucional dhe në rritjen e kapitalit njerëzor.

Fakulteti luan një rol integral në marrëveshje të ndryshme ndërkombëtare dhe programe bashkëpunuese që ofrojnë mundësi të vlefshme si për anëtarët e stafit të fakultetit ashtu edhe për studentët. Në këtë program studimi të ciklit të dytë theks i veçantë i vihet inkurajimit të pjesëmarrjes së studentëve në mobilitete, rritjes akademike dhe zhvillimit të një perspektive globale të studentëve.

Në programin e studimit Master i Shkencave në “Zhvillim Ekonomik dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare” mund të studiojnë shtetasit shqiptarë apo të huaj, të cilët kanë mbaruar ciklin e parë të studimeve bachelor në një prej fushave të ekonomisë, shkencave politike, shkencave sociale, juridike apo marrëdhënieve ndërkombëtare në një universitet shqiptar apo që zotërojnë një diplomë të huaj të njohur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS), si dhe që zotërojnë gjuhën e huaj angleze në nivelin B1.

Linku : Kriteret

Linku : Urdhri i hapjes

Copyright © 2025 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.