Në kuadër të zbatimit të projektit Horizon Europe, SEE-ERA, në datat 11 dhe 12 Shtator 2025, u zhvillua vizita monitoruese në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë,  nga mentorët dhe monitorueset, zj. Charoula Tzanakou dhe zj. Evanthia K.Schmidt, përfaqësuese të dy institucioneve partnere Oxford Brookes University, Angli dhe Aarhus University, Danimarkë.

Qëllimi i vizitës monitoruese ishte të vendosen kontakte me grupet kryesore të interesuara si edhe me palë interesi dhe për të diskutuar sfidat e zbatimit të Planit të Barazisë Gjinore (PBGJ) 2024-2026, i miratuar nga Rektori i UT (shiko Plani i Barazisë Gjinore 2024-2026). Hartimi dhe zbatimi i Planit të Barazisë Gjinore është tashmë një proces që i takon zhvillimit të qëndrueshëm të IAL-ve.

U zhvilluan takime me Zëvendës Rektoren, zj. G.Sharku, strukturat përgjegjëse respektive për zbatimin e Planit të Barazisë Gjinore (PBGJ) si edhe me Këshillin konsultativ, Pikën Fokale për çështjet gjinore dhe koordinatorin, struktura të ngritura me Urdhërin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, nr.12, datë 07.07.2025.

Më datë 12 Shtator 2025, në Fakultetin e Ekonomisë, i cili është partner dhe njësi përgjegjëse për implementimin e projektit, u zhvilluan takime me Dekanin z. Bernard Dosti, me strukturat përgjegjëse respektive për zbatimin e projektit si edhe me personelin akademik të Departamentit të Kontabilitetit.

Këto takime do t’i shërbejnë vijimësisë së projektit dhe konkretisht paketës së punës WP5 që lidhet me monitorimin e zbatimit të PBGJ, nga ana e institucioneve partnere. Një aspekt i rëndësishëm i takimeve ishte ndërgjegjësimi i kërkuesve të rinj kandidatë për gradën shkencore Doktor,  për integrimin e dimensionit gjinor në dizenjimin e kërkimit, metodologjinë, mbledhjen e të dhënave, përpunimin e tyre dhe komunikimin e rezultateve me fokus në të dhëna gjinore. Nga ana e mentores zj.Charoula Tzanakou, u theksua se dimensioni gjinor është mjaft i rëndësishëm dhe ndër vështirësitë e hasura nga kërkuesit është mungesa e të dhënave të ndara sipas gjinive, racës, etnisë, etj.

Vizita monitoruese u përmbyll me diskutime të larmishme dhe gjithëpërfshirëse nga palë të ndryshme të interesit, duke pasur si qëllim kujdesin që duhet të tregohet në zbatimin me sukses të Planit të Barazisë Gjinore duke evidentuar edhe sugjerime konkrete mbi masat dhe treguesit respektivë.

Për më tepër ju mund të informoheni në faqen zyrtare të projektit https://see-era.eu/ ; 

https://feut.edu.al/projektet/209-projekte-nderkombetare/2849-ee-era-transforming-r-i-organizations-and-advancing-the-era-through-gender-equality-and-inclusiveness-in-see-horizon-csa-te-be 

Foto nga aktiviteti

Copyright © 2025 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.