Feut2025_logo_ttt.jpg

Të dashur studentë, kolegë dhe bashkëpunëtorë,

Në fillim të këtij viti të ri akademik, dëshiroj t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe t’ju uroj mirëseardhje në Fakultetin e Ekonomisë, në qendrën e dijes, ideve dhe inovacionit.

Ky është një moment i veçantë për të gjithë ne: për studentët që kthehen me energji e synime të reja, për pedagogët që me përkushtim e pasion udhëheqin procesin mësimor e kërkimor, si dhe për stafin ndihmës-akademik e administrativ, të cilët me punën e tyre të palodhur e bëjnë funksionimin e fakultetit tonë të mundur çdo ditë.

Një mirëseardhje e veçantë shkon për studentët e vitit të parë, të cilët nisin sot rrugëtimin e tyre universitar në auditorët e Fakultetit të Ekonomisë, më të madhin dhe më të suksesshmin në hapësirën shqipfolëse. Ju jeni në vendin e duhur për të ndërtuar të ardhmen tuaj!

Jemi krenarë që çdo vit të diplomuarit tanë gjejnë me sukses vendin e tyre në tregun e punës, në institucione publike e private brenda dhe jashtë vendit. Kjo dëshmon cilësinë e formimit që ofron Fakulteti ynë.

Fakulteti i Ekonomisë mbetet pararojë në arsimin e lartë shqiptar. Programet në gjuhën angleze, tashmë në vitin e shtatë të ofrimit të tyre, janë shndërruar në një zgjedhje të preferuar nga studentët, duke reflektuar standarde ndërkombëtare dhe një vizion të qartë zhvillimi. Po kështu, programet e shkëmbimit Erasmus+ dhe bashkëpunimet me universitetet partnere europiane do të vijojnë të ofrojnë mundësi të reja për studentët dhe stafet tona akademike.

Me bindjen se suksesi arrihet vetëm përmes bashkëpunimit, ju uroj një vit të mbarë akademik, të mbushur me dije, pasion dhe arritje të përbashkëta.

Bernard Dosti
Dekan, Fakulteti i Ekonomisë

Copyright © 2025 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.