
Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Tiranës njofton me hidhërim ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Sulo Hadërit, një prej figurave të spikatura të jetës akademike të Fakultetit, pedagogut, studiuesit dhe drejtuesit që i kushtoi më shumë se katër dekada arsimit të lartë dhe formimit të brezave të ekonomistëve.
Prof. Dr. Sulo Hadëri ishte një emër i respektuar në komunitetin akademik dhe një pjesë e rëndësishme e historisë së Fakultetit të Ekonomisë. I diplomuar në vitin 1979 në degën e Ekonomisë Politike, ai nisi karrierën universitare në tetor të vitit 1981, si asistent pedagog, duke ndërtuar në vijim një rrugëtim të gjatë e të spikatur në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe drejtim akademik.
Përkushtimi i tij ndaj dijes dhe kërkimit u kurorëzua me marrjen e gradës shkencore Doktor i Shkencave Ekonomike në vitin 1993, të titullit Profesor i Asociuar në vitin 1994 dhe të titullit Profesor në vitin 1999. Gjatë karrierës së tij, ai dha një kontribut të çmuar në mësimdhënien e Ekonomiksit, duke ligjëruar lëndë themelore si Hyrje në Ekonomi, Makroekonomi, Ekonomi Monetare, Paraja dhe Bankat, si dhe Financat Publike. Përmes leksioneve dhe punës së tij pedagogjike, ai ndihmoi në formimin profesional dhe intelektual të shumë brezave studentësh.
Një vend të veçantë në veprimtarinë e Prof. Dr. Sulo Hadërit zinte edhe kontributi në hartimin e teksteve universitare dhe materialeve mësimore, të cilat kanë shërbyer si burime të rëndësishme për studentët dhe për mësimdhënien e ekonomisë. Ndër botimet e tij përmenden Hyrje në Ekonomi, si bashkautor, Ekonomia Monetare dhe Leksione të Makroekonomisë. Ai kontribuoi gjithashtu në hartimin e teksteve të ekonomisë për arsimin e mesëm profesional dhe të përgjithshëm, duke dëshmuar interesin e tij për zhvillimin e edukimit ekonomik në nivele të ndryshme të sistemit arsimor. Veprimtaria e tij përfshinte artikuj shkencorë, kumtesa në konferenca kombëtare e ndërkombëtare dhe angazhim në projekte kërkimore e shkencore.
Përvoja dhe aftësitë e tij akademike e drejtuese u vunë në shërbim të institucionit edhe përmes një sërë përgjegjësish të rëndësishme. Ai shërbeu si Përgjegjës i Seksionit të Makroekonomisë, Përgjegjës i Departamentit të Ekonomiksit dhe Zëvendësdekan i Fakultetit të Ekonomisë, përpara se të zgjidhej Dekan i Fakultetit të Ekonomisë për periudhën 2012–2016. Në këtë detyrë, ai kontribuoi në drejtimin dhe zhvillimin e Fakultetit, në vijimësinë e veprimtarisë akademike dhe në përmbushjen e misionit të tij arsimor e shkencor.
Përtej angazhimit universitar, Prof. Dr. Sulo Hadëri dha kontribut edhe në institucione e struktura të rëndësishme të vendit, ndër të tjera si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe këshilltar i Ministrit të Financave. Përvoja e tij profesionale dhe akademike, si dhe bashkëpunimi me institucione e universitete të tjera, pasuruan më tej kontributin e tij në fushën e ekonomisë.
Ndarja e tij nga jeta është një humbje e ndjeshme për Fakultetin e Ekonomisë, për Universitetin e Tiranës, për kolegët, studentët dhe të gjithë ata që patën mundësinë ta njihnin e të bashkëpunonin me të.
Trashëgimia e Prof. Dr. Sulo Hadërit nuk kufizohet vetëm në detyrat që ushtroi apo në veprat që botoi. Ajo jeton në dijet që përcolli, në tekstet që la pas, në kontributin e tij për zhvillimin e arsimit ekonomik dhe në brezat e studentëve që u formuan nën udhëheqjen e tij akademike.
Fakulteti i Ekonomisë do ta kujtojë Prof. Dr. Sulo Hadërin me respekt dhe mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në jetën akademike dhe institucionale.
Në këto çaste dhimbjeje, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, tre vajzave, motrave, bashkëshortes, të afërmve, kolegëve, miqve dhe të gjithë atyre që e deshën dhe e vlerësuan.
U prehtë në paqe!
Fakulteti i Ekonomisë
Universiteti i Tiranës