Të dashur studentë,

Të nderuar kolegë dhe punonjës të Fakultetit të Ekonomisë,

Së bashku po nisim një vit të ri akademik. Ky vit akademik nis në një realitet të ri për gjithsecilin prej nesh, një realitet i mbushur me sfida. Që prej themelimit të Fakultetit të Ekonomisë në 1952, si Instituti i lartë i Ekonomisë, kjo është hera e parë, që ne nuk do mundemi të presim studentët tanë, në auditoret tona në këtë fillim vit akademik.

Zhvillimet e kohëve të fundit, kanë sprovuar aftësinë tonë, për tu përshtatur përballë të papriturave dhe parashtruar zgjidhje të reja. Ndryshimet e imponuara nga situata e krijuar globalisht, nga pandemia e ‘Covid 19’, i ka detyruar universitetet të mendojnë për implementimin dhe përdorimin e formave dhe metodave të reja të mësimdhënies, duke u ndihmuar dhe nga zhvillimet teknologjike.

Në këtë situatë të pazakontë, shëndeti juaj është prioriteti ynë. Drejtuesit e Fakultetit të Ekonomisë dhe të gjitha strukturat tona, janë angazhuar për të garantuar një proces mësimor cilësor, pavarësisht vështirësive dhe të papriturave.

Të dashur kolegë dhe punonjës të Fakultetit të Ekonomisë,

Përmbyllëm së bashku një vit të vështirë nga i cili mësuam shumë. Dëshirojmë t’ju falenderojmë për gatishmërinë, punën dhe përkushtimin tuaj. Jemi të bindur që edhe ky vit, pavarësisht kësaj situate të pazakontë, do të jetë i mbarë dhe i suksesshëm në sajë të bashkëpunimit me njeri-tjetrin.

Të dashur studentë,

Një falenderim të sinqertë për të gjithë Ju, për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar përgjatë kësaj periudhe të vështirë për të gjithë ne.

Dëshirojmë t’i shprehnim një urim të veçantë, të gjithë studentëve, që nisin studimet e tyre, për herë të parë në fakultetin tonë. Në këtë fillim viti akademik, dëshirojmë t’ju sigurojmë se i gjithë stafi akademik dhe strukturat e Fakultetit të Ekonomisë, janë në dispozicionin tuaj, për të dhënë më të mirën, në mënyrë që të vazhdojmë t’ju ofrojmë një mësimdhënie sa më cilësore dhe njëkohësisht, duke ruajtur shëndetin e gjithsecilit prej jush.

Ky fillim vit akademik sjell sfida të shumta, por jemi të sigurtë, që së bashku, do mundemi t’i kthejmë në mundësi, për tu zhvilluar dhe për tu përmirësuar më tej.

Suksese dhe një vit i mbarë akademik për të gjithë ne!

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.