Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, shpallet fitues në Fushën e Veprimit Jean Monnet në Programin Erasmus+. Grupi i punës i përbërë nga Dr. Perseta Grabova dhe Dr. Elona Pojani, të dyja pjesë e stafit të Departamentit të Financës, kanë përmbyllur me sukses aplikimin në Projektin me titull "Promoting CCA and DRM in the frameworkof EU Integration". Projekti është shpallur fitues ndër 1440 aplikime, nga të cilat 360 rezultuan të suksesshme.
Nën frymën e projektit tjetër të suksesshëm të Departamentit të Financës "Knowledge for a resilient society - K-Force", ky projekti ka në fokus nxitjen e edukimit në fushat "Menaxhimi i Riskut nga Katastrofat" dhe "Përshtatja ndaj Ndryshimeve Klimatike", tashmë të trajtuar në kuadër të Integrimit Evropian.
Ndërsa edukimi është produkti kryesor i projektit, produkte të tjera që synojnë angazhimin e grupeve të ndryshme të interesit përfshijnë konferenca, tavolina të rrumbullakëta, si edhe prodhimin e materialeve didaktike dhe shkencore të lidhura me fushat. Projekti do të zgjasë 3 vjet dhe synon bashkëpunimin me shumë aktorë, si institucione publike, OJF, institucione ndërkombëtare, etj., me synimin promovimin dhe zhvillimin e edukimit në një fushë prioritare veçanërisht në kohët e sotme nën situatën problematike të krijuar në mbarë botën. Duke qenë avangardë në ofrimin e edukimit në fushën e menaxhimit të riskut nga katastrofat, mbështetja nga projekte ndërkombëtare siguron cilësinë në realizmin e këtyre objektivave.