Dekanati i Fakultetit të Ekonomisë mësoi me hidhërim të thellë lajmin e ndarjes nga jeta të Profesorit te nderuar Astrit Kallfa.
Profesor Kallfa punoi për gati 30 vjet si pedagog i katedrës së Ekonomisë Politike në Fakultetin e Ekonomisë, deri sa doli në pension në vitin 1993. Më pas punoi në sektorin privat.
Ai ishte Doktor i Shkencave Ekonomike dhe mbante prej shumë kohësh titullin pedagogjiko-shkencor “Docent”.
Profesor Kallfa ishte një pedagog korrekt, serioz e shumë i përkushtuar. Ai ishte bashkëautor i teksteve të Ekonomisë Politike për shkollat e mesme e të larta. Ka shkruar si autor e bashkëautor shumë artikuj shkencor cilësor dhe ka referuar me sukses në mjaft konferenca shkencore. Punimet e tij dallonin për analizën e spikatur, thellësinë e mendimit, përfundimet e pjekura.
Si një familjar i përkushtuar, ai rriti dhe edukoi dy vajza te mrekullueshme të cilat janë krenare për babanë e tyre. Vajza e madhe, Elda, është edhe pedagoge e ftuar në Fakultetin e Ekonomisë.
Dekanati i Fakultetit të Ekonomisë i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur! U prehtë në paqe.
I paharruar kujtimi i Profesorit!