Biografia: Andri Koxhaj është profesor në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Ai ka një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore, duke kontribuar në fushat e administrimit publik, menaxhimit, komunikimit dhe sipërmarrjes.
Ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik në vitin 1987, ka mbrojtur doktoraturën në vitin 1996, dhe nga viti 2011 mban titullin Profesor Doktor. Është autor i shumë punimeve dhe artikujve shkencorë të botuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe i disa teksteve universitare mbi administrimin publik, menaxhimin, komunikimin dhe metodologjinë e shkrimit akademik. Ka udhëhequr mbi 20 teza doktorature dhe ka qenë recensent i punimeve shkencore, teksteve universitare dhe monografive. Në periudhën 2008-2012 ka shërbyer si përgjegjës i Departamentit të Menaxhimit në Fakultetin e Ekonomisë UT, ndërsa nga viti 2016-2020 ka qenë anëtar i Senatit Akademik të UT. Gjithashtu, ka organizuar disa konferenca shkencore të Departamentit të Menaxhimit dhe ka drejtuar seksionin “Menaxhim dhe Administrim Publik” për disa mandate.
Prof. Koxhaj ka qenë anëtar i komisionit për vlerësimin dhe ekuivalentimin e doktoraturave të mbrojtura jashtë vendit pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe anëtar i Bordit të Administrimit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Ka marrë pjesë në komisione të ndryshme për rekrutimin e drejtuesve të lartë në institucione si DAP, Ministria e Financave, METE, INSTAT, Bashkia Tiranë, Prefektura Tiranë dhe Këshilli i Qarkut Tiranë. Gjithashtu, ka qenë anëtar i Komitetit të Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, anëtar i bordeve shkencore të konferencave të ndryshme dhe anëtar i Bordit të Institutit të Studimeve Europiane (ISE) UT. Ka shërbyer si anëtar i Këshillit të Profesorëve dhe Dekanatit të FEUT, si dhe i këshillave mbikëqyrës dhe bordeve drejtuese të disa kompanive publike dhe private, përfshirë INSIG, Portin e Shëngjinit, Alba-Film Kinostudio, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, Kombinatin e Tekstileve Berat, kompaninë e trikotazhit Durrës dhe kompaninë e mikrokredisë Final.
Prej vitit 2019, është anëtar i Komisionit të Përhershëm të Shkencave Sociale, Juridike dhe Ekonomike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Puna dhe kërkimet e tij janë përqendruar kryesisht në ndikimin e inovacionit dhe të telepunës në menaxhimin e organizatave, ndikimin e motivimit dhe lidershipit në performancën organizative, problemet e menaxhimit dhe sipërmarrjes, ndikimin e reformës territoriale në qeverisjen vendore, si dhe menaxhimin e zonave të lira dhe porteve.