Në Fakultetin e Ekonomisë u organizua nga Instituti Hungarez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare eventi “Thirrja e Brukselit: Rruga drejt tregut të vetëm”. Ky event është pjesë e Budapest Balkans Forum (BBF on Tour), i cili bëri sëbashku figura dhe ekspertë të shquar në fushat e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Ekonomike.
Fjalët hyrëse nisën me Z. Tamás Péter Barany, Drejtor i Strategjisë pranë Institutit Hungarez të Çështjeve Ndërkombëtare, i cili dha njohuri të vlefshme për vizionin strategjik të këtij institucioni. Z. Ádám Lovassy, Zv/Ambasadori i Hungarisë në Tiranë, theksoi perspektivën diplomatike dhe Prof. Asoc. Bernard Dosti, Zv. Rektori i Universitetit të Tiranës, u përqendrua në këndvështrimin akademik për diskutimin mbi rrugën drejt një tregu të vetëm, si dhe shprehu rëndësinë e këtij eventi.
Eventi gjithashtu u përshëndet nga të ftuar të shquar. Z. Péter Sztáray, Sekretar Shteti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, adresoi çështje të rëndësishme që lidhen me politikën e sigurisë dhe sigurinë e energjisë. Znj. Megi Fino, Zv. Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndau njohuri mbi qëndrimin e Shqipërisë në rrugën drejt një tregu të vetëm. Z. Silvio Gonzato, ambasadori i BE-së në Shqipëri, ofroi një perspektivë gjithëpërfshirëse të Bashkimit Europian për këtë çështje.
Në përfundim të fjalimeve përshëndetëse, u organizua një panel diskutimi me prezencën e ekspertëve të fushave të ndryshme të sektorit publik dhe atij privat. Në këtë panel u trajtuan aspektet thelbësore të rrugëtimit drejt tregut të vetëm, duke eksploruar prespektivat e ekspertëve në bashkëpunimin ndërkombëtar, infrastrukturën, energjinë, investimet dhe teknologjinë. Eksperienca e ndryshme e panelistëve krijoi mundësinë e shkëmbimit të ideve, duke u fokusuar mbi sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen vendet në rrugën e tyre drejt tregut të vetëm.
Ky event synon të nxisë diskutimet dhe të përmirësojë të kuptuarit rreth sfidave dhe mundësive në rrugën drejt Tregut të vetëm. Gjithashtu ai shërbeu si një platformë për dialog konstruktiv midis politikëbërësve, diplomatëve dhe akademikëve.