Në kuadër të projektit Jean Monnet “Enhancing Knowledge of EU Green Finance Policies in Insurance and Business Valuation- Green FIB”, i financuar nga bashkimi Evropian si pjesë e programit Erasmus+, me kordinatore të projektit Prof. Dr. Gentiana Sharku, në datën 17 Janar 2024, grupi i punës së projektit realizoi një vizitë studimore me studentë të Fakultetit të Ekonomisë, në ambjentet e shoqërisë së sigurimeve “Sigma VIG”. Në këtë aktivitet morën pjesë studentë të Masterit Profesional në Financë: Kejsi Beshello, Brunilda Biçi, Gabriel Çuni, Arben Gegprifti, Hume Iseberi, Fatbardha Ajdini, Ketlina Çela, Alisia Çerepi, Xhuljana Bashmilli, Esmeralda Dulla dhe Suada Zeqiri.
Gjatë kësaj vizite studentët zhvilluan një takim informues me Z. Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i Vienna Insurance Group, me temë “Green Insurance in Albanian Insurance Market”.
Projekti Jean Monnet “Green FIB”, ka për qëllim të promovojë politikat e qëndrueshmërisë financiare të BE – së për bizneset dhe industrinë e sigurimeve, dhe transformimin e tyre në drejtim të nismave të gjelbërta, përmes aktiviteteve mësimore dhe kërkimore.
Në mbështetje të këtij projekti, takimi shërbeu për të informuar studentët në lidhje me praktikat e sigurimit të përgjegjësisë për biznese dhe individë, duke u fokusuar tek faktorët klimatikë, mjedisorë dhe socialë në strategjinë dhe menaxhimin e riskut, me qëllim nxitjen e kreativitetit të studentëve, në lidhje me impelementimin e nismave të gjelbërta në tregun e sigurimeve, që përkon edhe me objektivat e këtij projekti.