Gjatë muajit shkurt, pranë Universitetit të Prishtinës, u mbajt gara ndërkombëtare për sigurinë kibernetike, organizuar nga Iowa State University, SHBA. Në këtë garë, e cila simuloi një situatë nga bota reale, u angazhuan mbi 30 ekipe të rinjsh nga universitetet e rajonit si dhe të ShBA. Studentët e FEUT nga dega Informatikë Ekonomike, viti III, në bashkëpunim me pedagogët, patën një prezantim mjaft të mirë, ku arritën të mbronin ndaj sulmeve infrastrukturat virtuale me sukses deri në fund të garës. Ato treguan aftësi mjaft të mira teknike, shkathtësi në përshtatje të një mjedisi nën sulm të vazhdueshëm, si dhe komunikim mjaft të mirë në grup. Aktivitete të tilla dëshmojnë se mbrojtja dhe bashkëpunimi jo vetëm rajonal, por edhe përtej kontinenteve, është tepër i rëndësishëm për të pasur një shoqëri dhe ekonomi të sigurtë.
Fakulteti i Ekonomisë Universiteti i Tiranës, u ftua të marrë pjesë edhe në edicionin e ardhshëm, i cili pritet të jetë më gjithëpërfshirës dhe me dimensione më të mëdha. Falenderojmë studentët dhe stafin për këto arritje.